Debati për reformën në drejtësi, Nishani: Të përshpejtojmë procesin

27/01/2015 00:00

Reforma në drejtësi ka mbledhur në një tryezë palët e interesuara, përfshirë këtu presidentin e Republikës dhe kryetarin e Komisionit të Venecias, si dhe deputetë të Parlamentit shqiptar.

Në fjalën e tij, kryetari i KV, Gianni Buquicchio u bëri thirrje palëve politike që të angazhohen seriozisht në bashkëpunim dhe të respektojnë hapësirat e njëra-tjetrës.

“Shumica të mos shfrytëzojë pozitën e saj, ndërsa opozita të ushtrojë detyrën. Bllokimi i Parlamentit është mosfunksionim i opozitës. Duhet të ketë një ekuilibrim të të drejtave mes palëve dhe ne jemi të gatshëm për të bërë ndërmjetësimin për reformën në drejtësi”, deklaroi Buquicchio.

Ndërsa presidenti Nishani nga ana e tij e cilësoi prioritare reformën në drejtësi dhe vlerësoi në këtë proces asistencën e ofruar nga Komisioni i Venecias.

Ndër të tjera, Nishani bëri thirrje për hartimin e një reforme serioze që të largojë militantizmin partiak nga institucionet e drejtësisë.

“Komisioni i Venecias është garanci për besueshmërinë e reformës. S’ka rrugë tjetër veç reformës në drejtësi pasi ajo është baza e funksionimit të Evropës. Neve na nevojiten kritere të reja për ta përshpejtuar këtë reformë, e cila nëse bëhet në mënyrë të gabuar do ta çojë Shqipërinë drejt fatalitetit. Reforma duhet të shkëpusë militantizmin politik nga institucionet”, deklaroi Nishani

Top Channel