Betohet qeveria “Tsipras” me ndryshime rrënjësore. Risi, ndarja mes besimtarëve e ateistëve. Merkel e uron

27/01/2015 00:00

Për herë të parë në histori, betimi i një qeverie greke është bërë në dy pjesë. Në fillim janë betuar me dorën mbi Bibël, në emër të Zotit sipas traditës, 8 nga anëtarët e saj besimtarë. Pjesa tjetër, të gjithë ateiste dhe shumica pa kravata, në emër të nderit dhe ndërgjegjes. Ndërsa ka pasur dhe të tjerë, që ndodheshin jashtë kryeqytetit dhe nuk kanë mundur të betoheshin.

Ndryshime rrënjësore kanë parë grekët, disa orë pas fitores së radikalëve të majtë dhe ardhjes së tyre në pushtet, edhe në skemën e qeverisë që përbëhet nga 40 anëtarë, prej të cilëve 6 gra. Me një zëvendëskryeminister, 3 ministra shteti, 13 ministra, 20 ministra plotësues dhe 5 zëvendësministra; kryeministri Tsipras jep një mesazh pozitiv për një grup, që nuk ka asnjë mundësi të dytë në këtë periudhë kritike për Greqinë, në lidhje me huadhënësit e saj.

Posti i rëndësishëm i ministrit të Financave i është dhënë profesorit të shquar të Shkencave Ekonomike, Yanis Varoufakis, ndërsa vetë zv.kryeministri, bashkë me disa anëtarë të tjerë të kabinetit, shquhen si specialistë në fushën e Financave dhe Ekonomisë.

Tsipras ka krijuar katër ministri gjigante për disa nga sektorët kyç, që kanë nevojë për reforma sipas vijës ideologjike që përfaqëson partia e tij. Në gjirin e tyre, ai ka vendosur për herë të parë një Ministri të vogël Emigracioni, duke vërtetuar edhe njëherë qasjen e tij me këtë grup shoqëror, të izoluar nga politika prej viteve ’90.

Gjithashtu, duke pasur papunësinë më të lartë në Europë, ai ka krijuar një Ministri të vogël për Papunësinë. Në këtë gjatësi vale ka lindur edhe Ministria e Shtetit për Luftën ndaj Korrupsionit, betejë të cilën asnjë qeveri nuk e ka fituar në Greqi. Pesë prej anëtarëve të kabinetit u përkasin “Grekëve të Pavarur”, aleatëve në qeveri, ku lideri i tyre Panos Kammenos ka marrë sipas marrëveshjes Ministrinë e Mbrojtjes.

Disa orë para betimit të qeverisë, një telegram urimi për kryeministrin e ri ka mbërritur nga vetë Kancelarja Merkel. Mbërritjen në Athinë të kreut të Parlamentit Europian dhe kreut të eurozonës, radikalët e majtë e kanë komentuar duke theksuar se ata nuk bisedojnë më me Trojkën, por me vetë kreditorët.

Qeverinë e re nuk e ka pritur mirë Bursa e Athinës, që ka pësuar rënie, dhe specialistët komentojnë se shkak janë zërat për zëvendësimin e disa prej guvernatorëve të bankave kryesore greke, aksionet e të cilave përsëri janë luhatur.

Është bërë gjithashtu e ditur se radikalët e majtë kanë propozuar për kreun e Parlamentin një prej anëtarëve të tyre të shquar, juristen Zoi Konstandopoulou, e cila do të jetë gruaja e dytë në krye të këtij institucioni në historinë e Greqisë.

Top Channel