Të mbijetuarit përkujtojnë 70-vjetorin e çlirimit të Aushvicit

27/01/2015 00:00

Rreth 300 të mbijetuar të Aushvicit janë mbledhur në kompleksin e ish-kampit nazist të vdekjes për të shënuar 70-vjetorin e lirimit.

Përkujtimi mbahet tek kompleksi në jug të Polonisë, ku 1.1 milion njerëz, shumica e të cilëve hebrenj, u vranë mes viteve 1940-1945.

Ky pritet të jetë përvjetori i fundit madhor që të mbijetuarit do të jenë në gjendje të ndjekin në masë të madhe. Në ceremoni do të jenë të pranishëm krerët e shteteve dhe përfaqësues nga vendet aleate të kohës së luftës.

Mes eventeve të ndryshme përfshihet vendosja e kurorave, një shërbim kishtar dhe ndezja e qirinjve në një memorial në ish-kampin e vdekjes Birkenau, që ishte pjesë e kompleksit të Aushvicit.

Kampi në fjalë u çlirua nga Ushtria e Kuqe e Bashkimit Sovietik më 27 janar 1945 dhe u hap si muze dy vjet më vonë.

Stafi i muzeut lufton prej kohësh për fonde për mirëmbajtjen, edhe pse Fondacion Aushvic-Brikenau deklaroi së fundmi se kishte arritur qëllimin duke siguruar mbi 150 milionë dollarë.

Presidenti gjerman Joachim Gauck dhe presidenti francez Francois Hollande do të udhëtojnë në Poloni për këtë përvjetor.

Ndërsa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë për shkak të një përplasjeje me Polonin lidhur me këtë përkujtim dhe për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.

Në prag të përvjetorit, kancelarja gjermane Angela Merkel bëri një apel kundër diskriminimit të hebrenjve në Evropën e sotme.

“Është një fatkeqësi që hebrenjtë janë poshtëruar, kërcënuar dhe dhunuar në Gjermani. Ne duhet të luftojmë anti-semitizmin dhe të gjitha format e racizmit nga rrënjët e tij”, tha ajo në një eveniment të mbajtur në Berlin.

Top Channel