Terrorizmi, aksion në Francë e Belgjikë, arrestime

27/01/2015 00:00

Një aksion kundër grupeve xhihadiste është kryer mëngjesin e së martës në Lunel, një komunë me rreth 26 mijë banorë në jug të Francës, rreth 30 km larg qytetit Montpelie.

Nga kjo komunë rezulton se rreth 20 të rinj janë nisur për të marrë pjesë në të ashtuquajturën “lufta e shënjtë” në Siri, 6 prej të cilëve, të moshave nga 18 në 30 vjeç, kanë vdekur atje në muajt e fundit.

Sipas një së përditshmeje lokale, operacioni i kryer nga njësitë speciale RAID dhe grupet e ndërhyrjes së shpejtë të Policisë Kombëtare nisi në orën 6:30.

Pesë persona, të moshave nga 26 në 44 vjeç, dy prej të cilëve me një eksperiencë të gjatë në zonat e luftës, janë arrestuar. Bëhet fjalë për të afërm të të rinjve të nisur së fundmi për në Siri.

“Kemi shkatërruar një celulë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe shumë të organizuar”, ka deklaruar ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve.

Zyrtari i lartë e ka vënë theksin tek “vendosmëria e autoriteteve publike për të neutralizuar kë kërcënon lirinë tonë”.

Në të njëjtën kohë, një operacion i ngjashëm është zhvilluar në Belgjikë, në lokalitetin Koutrai, pak kilometra larg kufirit francez, ku janë arrestuar tre persona të lidhur me grupet radikale. Në banesat e tyre janë gjetur armë dhe municione.

Edhe në këtë rast, nga ky lokalitet janë nisur për në Siri një numër i konsiderueshëm luftëtarësh. Pas ngjarjeve të Parisit, forcat speciale belge ndërmorën një operacion në qytetin Verviers, ku mbetën të vrarë 3 terroristë.

Top Channel