Libi, militantë të ISIS vërshojnë në hotelin luksoz, të paktën 8 viktima

27/01/2015 00:00

Dy persona të armatosur rëndë kanë mësyrë një hotel luksoz në Tripoli, ku ishte duke u zhvilluar një takim mes zyrtarëve të lartë libianë dhe delegacioneve vizitues gjatë së martës, duke vrarë të paktën 8 persona, përfshi 4 të huaj, përpara se të hidhnin veten në erë, bëjnë të ditur autoritetet.

Të shtënat nisën brenda hotelit “Corinthia” me 5 yje, ndërkohë që forcat e sigurisë evakuuan të ftuarit, përfshi kryeministrin e Tripolit dhe një delegacion amerikan, pasi agresorët mundën të thyenin sigurinë e ndërtesës dhe recepsionin.

Ky ishte një nga sulmet më të këqija që kanë pasur për shënjestër të huajt, që prej luftës civile të vitit 2011, që përfundoi me rrëzimin e Muammar Gaddafit, ndërkohë që vendi afrikano-verior, një prodhues i rëndësishëm i naftës, është përçarë mes pretendimeve për të luftuar grupet e armatosura, duke formuar dy qeveri kombëtare, secila në legjitimitet të plotë sipas tyre.

Një grup militantësh që kishin lidhje me kryengritjet e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri mori përgjegjësinë për sulmin ndaj hotelit, si shenjë hakmarrjeje për vdekjen e një libiani, të dyshuar se operonte për Al Kaedën në Shtetet e Bashkuara, sipas shërbimit monitorues SITE.

Por, zyrtarët e Tripolit, të cilët kanë formuar qeverinë e tyre vetëshpallur, fajësojnë ish-besnikët e kolonel Gaddafit për përpjekje për të vrarë kryeministrin e tyre, i cili ndodhej në hotel, por që u evakuua pa pësuar dëmtime.

“Sulmuesit hapën zjarr brenda hotelit duke vrarë 4 të huaj, dy gra dhe dy burra, të cilët besohen të jenë nga vendet e Azisë Lindore”, tha Omar Khadraëi, kreu i sigurisë së Tripolit. “Kur agresorët ishin tërësisht të rrethuar prej forcave të sigurisë, njëri prej tyre aktivizoi një granatë dhe u vetëhodhën në erë, por ende nuk e dimë nëse ky veprim ishte i qëllimshëm”.

Një oficer sigurie u vra gjithashtu gjatë përplasjeve, ndërsa 3 roje humbën jetën kur agresorët i vunë bombën një makine të parkuar në parkingun jashtë hotelit.

Top Channel