Bie indeksi i lirisë ekonomike, WSJ: Ndikim, rritja e taksave e faktorë të tjerë

27/01/2015 00:00

Liria ekonomike në Shqipëri u përkeqësua për shkak të rritjes së taksave dhe rënies në lirinë e biznesit dhe atë të investimeve. Ky është konkluzioni i një raporti, që publikon “Wall Street Journal” dhe “Heritage Foundation”, një institut kërkimor i djathtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Raporti mbulon periudhën nga 1 korriku i vitit 2013 deri më 30 qershor të 2014-s. Sipas tij, përgjatë kësaj kohe, Indeksi i Lirisë Ekonomike në Shqipëri u përkeqësua nga 66.9 pikë, që ishte një vit më parë, në 65.7 aktualisht. Ky është viti i parë ndër 5 vitet e fundit, që treguesi i lirisë ekonomike në vend përkeqësohet.

Sipas “Heritage Foundation”, kjo e zbret renditjen e Shqipërisë me 9 vende në klasifikimin botëror të lirisë ekonomike; përkatësisht nga ekonomia e 54-t më e lirë në botë, që ishte një vit më parë, në atë të 63-tën aktualisht.

Por cilat janë arsyet? Sipas raportit, përkeqësimi lidhet me rënien e lirisë fiskale, asaj të biznesit dhe lirisë së investimeve. Për treguesin e parë, atë të lirisë fiskale, raporti detajon se shkak është rritja e taksave mbi biznesin dhe individët, ndërsa për dy treguesit e tjerë nuk jep detaje, por thjesht vë në dukje se, pavarësisht reformave të ndërmarra kohët e fundit, klima e biznesit mbetet problematike dhe pengon zhvillimin ekonomik të vendit.

Megjithatë, fusha ku Shqipëria renditet më keq është ajo e shtetit ligjor, ku përfshihet e drejta e pronës dhe korrupsioni. Në treguesin e parë, Shqipëria renditet e 94-ta, ndërsa për korrupsionin klasifikohet e 118-a, nga 184 vende të botës.

Top Channel