Jahjaga: Të rivendoset rendi, politika të rinisë dialogun

27/01/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga reagoi pas ngjarjeve të dhunshme që përfshinë gjatë së martës, Prishtinën.

Kreu i shtetit bëri thirrje për qetësi dhe rivendosje të rendit.

“Ju bëj thirrje protestuesve të mbetur në rrugët e qytetit të Prishtinës që të shpërndahen në mënyrë të qetë dhe të mos vazhdojnë përplasjen me Policinë e Kosovës, një institucion përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe të ligjit dhe për sigurinë e secilit qytetar të vendit. Ajo është Policia jonë. Udhëheqësit politikë të të gjitha partive në vend, përfshirë pozitën dhe opozitën, të rinisin dialogun ndërmjet vete dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke e ndërprerë këtë cikël të dhunës në rrugë. Kërkoj gjithashtu nga liderët politikë të vendit nga i gjithë spektri politik, të distancohen nga aktet e dhunës që po e dëmtojnë rëndë shtetin tonë të ri”, u shpreh Jahjaga.

Sipas saj, dhuna ndaj Policisë është e papranueshme e po ashtu edhe dëmtimi i pronës publike dhe private nuk mund të tolerohet.

“Protesta është e drejtë e patjetërsueshme dhe e garantuar me Kushtetutën e vendit, por kjo e drejtë vjen me përgjegjësi dhe dhuna e sotme në sheshet e Prishtinës prish rëndë rendin dhe ligjin dhe cenon seriozisht sigurinë e qytetarëve. Zgjidhjet institucionale dhe gjuha e dialogut janë mënyra më e mirë për të tejkaluar situatat e krijuara dhe duhet të veprojmë bashkërisht në parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes”, thuhet në reagimin e Presidentes.

Top Channel