Ukraina e cilëson ligjërisht Rusinë si një “shtet agresor”, kërkon më shumë sanksione

27/01/2015 00:00

Ushtria ukrainase ka bërë të ditur këtë të martë se nga luftimet me separatistët e mbështetur nga Moska, 9 ushtarakë kanë mbetur të vdekur gjatë 24 orëve të fundit, teksa rebelët janë përpjekur të rrethojnë një qytet kyç mes kryqëzimeve më të rëndësishme të transportit midis dy bastioneve të tyre.

Dhuna në lindje të Ukrainës është përshkallëzuar në nivelet më të këqija që prej armëpushimit të shtatorit të vitit të kaluar, ndërkohë që Ukraina dhe Perëndimi vijojnë të akuzojnë Rusinë për mbështetje të hapur ndaj rebelëve me parà, armatime dhe trupa në terren.

Zëdhënësi ushtarak Vladislav Seleznyov tha se 29 ushtarakë janë plagosur veç atyre të vrarëve, duke shtuar se luftimet janë bërë edhe më intensive pranë qytetit strategjik të Debaltseve, në verilindje të Donjeckut të kontrolluar prej rebelëve.

“Situata mbetet e tensionuar. Gjatë 24 orëve të fundit grupe të armatosura ilegale kanë ndërmarrë 120 sulme ndaj pozicioneve të forcave qeveritare”, tha ai në një deklaratë të shkurtër televizive.

Në Kiev, ndërkohë, Parlamenti është mbledhur në një seancë emergjence për të votuar mbi një deklaratë që e konsideron Rusinë një “shtet agresor”, bënë të ditur ligjvënësit. Ende nuk është bërë e qartë se çfarë implikimesh do të ketë një deklaratë e tillë, përtej simbolikës së saj.

“Njohja ligjore e Rusisë si një shtet agresor sjell pasojat e parashikuara në rezolutën 1974 të OKB-së dhe në statutin e OKB-së”, tha lideri i partisë Radikale, Oleh Lyashko, anëtar i koalicionit qeverisës, përpara votimit. Me këtë votim, deputetët thonë se do t’i hapin kështu rrugë pasojave me të cilat do të përballet Rusia, duke bërë thirrje për më shumë sanksione të ashpra.

Parlamenti votoi gjithashtu për t’i përkufizuar “republikat” e vetëdeklaruara në lindje të Ukrainës si “organizata terroriste” dhe ka apeluar ndaj komunitetit ndërkombëtar të ofrojë më shumë ndihma ushtarake jovdekjeprurëse.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power, tha gjatë së hënës se sulmet vdekjeprurëse në qytetin portual të Mariupolit, gjatë fundjavës, tregojnë se objektivi i Moskës është të rrisë kontrollin ndaj territoreve ukrainase.

Rajonet e kontrolluara nga separatistët, Donjecku dhe Luhansku, të njohura gjithashtu edhe me emrin Donbass, së bashku përbëjnë rreth 9 përqind të territorit ukrainas, përjashto këtu gadishullin e Krimesë, që Rusia e aneksoi nga Ukraina marsin e vitit të kaluar.

Rebelët kontrollojnë më pak se gjysmën e kësaj zone, por dy qytet më të mëdha të Donbassit i kanë bërë respektivisht kryeqytete të Republikave të vetëshpallura Popullore.

Qeveria e Kievit e sheh avancimin e rebelëve si një shkelje të armëpushimit, duke rinisur kështu një luftë gjatë së cilës kanë mbetur mbi 5000 viktima. Kievi dhe NATO besojnë se me mijëra trupa ruse ndodhen në lindje të Ukrainës, të cilët luftojnë përkrah rebelëve me armatime të avancuara, pavarësisht mohimit të Moskës.

Top Channel