Borxhet e prapambetura frenojnë ekonominë

27/01/2015 00:00

Një botim shkencor i Fondit Monetar Ndërkombëtar del në përfundimin se
Qeveritë që akumuluan borxhe të prapambetura ndaj biznesit i kanë
penalizuar fort ekonomitë e tyre.

Studimi i kryer nga dy ekspertë të FMN, merr në analizë 27 vende të Bashkimit Europian për një periudhë kohore 20-vjeçare, nga viti 1993 deri në 2013-ën.

Sipas tij, në vendet ku qeveritë nuk kanë qenë korrekte me pagesat ndaj biznesit, çdo rritje me 1 për qind e detyrimeve të prapambetura ndaj Prodhimit Kombëtar ka ulur mesatarisht rritjen ekonomike nga 0.6 deri në 0.9 për qind. Sipas raportit, ky ndikim i fortë negativ vjen nga tre kanale, pasi mospagesa në kohë e buxhetit ul fitimin e bizneseve, rrit numrin e falimentimeve dhe frenon investimet private.

Dokumenti njeh se këto janë vlerësime të përafërta, pasi sipas tij, impakti i saktë i borxheve në rritjen ekonomike është i vështirë për t’u vlerësuar për shkak të shumë faktorëve të tjerë që mund të ndikojnë rritjen ekonomike.
 
Por ekspertët e FMN thonë se pavarësisht kësaj, të dhënat tregojnë se kur qeveritë nuk paguajnë biznesin ndikimi negativ në ekonomi është i konsiderueshëm. Gjatë viteve të krizës, Qeveritë e disa vendeve në Europë, si Italia, Greqia, Spanja por edhe shumë të tjera akumuluan detyrime të mëdha ndaj bizneseve private në rendin e dhjetëra miliardë eurove.

Shqipëria gjithashtu u përball me një situatë të ngjashme. Në vitin 2013, kur erdhi në pushtet, qeveria e majtë deklaroi se borxhet e prapambetura që demokratët kishin lënë ndaj biznesit, ishin 72.6 miliardë lekë ose mbi 5.4 për qind e Prodhimit Kombëtar. Edhe pse Shqipëria nuk ka qenë pjesë e studimit të FMN, gjetjet e tij në vendet e tjera, tregojnë se me këto shifra efekti negativ në rritjen ekonomike të vendit mund të ketë qenë dramatik, shumë më i thellë edhe nga vlerësimet me pesimiste.   

Top Channel