Videoja e re e ISIS, zëri i supozuar i pengut japonez: Na kanë ngelur 24 orë jetë

27/01/2015 00:00

Një video e re me foto dhe një mesazh zanor, i publikuar gjatë së martës, e që supozohet të jetë i dhënë nga pengu japonez Kenji Goto, u drejtohet Jordanisë e Japonisë, duke kërkuar prej shtetit arab të lirojë të burgosurin Sajida al-Rishawi, ose në të kundërt Goto dhe piloti ushtarak jordanez, i cili u kap gjatë muajit të kaluar prej militantëve të ISIS, do të vriten brenda 24 orëve të ardhshme.

Menjëherë pas këtij publikimi, zyrtarë të lartë të Japonisë janë takuar në një mbledhje urgjente në përpjekje për të verifikuar autenticitetin e kësaj videoje, që sipas rrjetit shtetëror të transmetimit, NHK, besohet të jetë zëri i pengut Kenji Goto. “Kam vetëm 24 orë të mbetura për të jetuar, ndërsa piloti jordanez ka edhe më pak sesa kaq”, thuhej në mesazhin online.

Më herët, Japonia ishte angazhuar të punonte së bashku me Jordaninë për të siguruar lirimin e gazetarit japonez të mbajtur peng nga militantët e ISIS, pas vrasjes gjatë javës së kaluar të pengut tjetër japonez. Megjithatë, u ripërsërit fakti se Japonia nuk do të dorëzohet përpara terrorizmit.

Kriza e pengjeve është bërë gjithashtu një test i rëndësishëm për kryeministrin Shinzo Abe, i cili erdhi në pushtet në vitin 2012 duke u angazhuar se do të forconte rolin e Japonisë mbi sigurinë globale.

Abe dënoi gjatë së dielës vrasjen e pengut japonez, Haruna Yukawa, duke e quajtur si “makabritet”, si dhe bëri thirrje për lirimin e korrespondentit veteran Kenji Goto, të kapur nga militantët e Shtetit Islamik në Siri.

“Do të punojmë së bashku me qeverinë jordaneze për të siguruar lirimin e Goto”, tha Yasuhide Nakayama, ministër shteti për Marrëdhëniet e Jashtme, për reporterët në Jordani gjatë së hënës. Nakayama u dërgua në Jordani javën e kaluar për të përballuar krizën e fundit të pengjeve.

Militantët janë tërhequr nga kërkesa për dëmshpërblim, por kërkojnë tashmë këmbimin e pengut Goto me kamikazin e dënuar në Irak, Sajida al-Rishawi, por të burgosur në Jordani.

Top Channel