Mustafa e Thaçi: Protesta e motivuar politikisht. Trepça, jo në bisedimet e Brukselit

27/01/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, akuzuan opozitën se, nëpërmjet protestave, po tentojnë të marrin pushtetin me dhunë.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Mustafa dhe Thaçi dënuan aktet e dhunës dhe – siç thanë – cënimin e rendit kushtetues. Ata ftuan opozitën, që të mos përdorin protestat për realizimin e ambicieve për pushtet, por çdo shqetësim ta diskutojnë në Parlamentin e Kosovës.

“Protesta e sotme, e motivuar politikisht, i ka bërë dëm jashtëzakonisht shtetit tonë të ri. Qeveria dënon instrumentalizimin e protestuesve dhe përdorimin e nxënësve në protestë për qëllime politike, nga ana e organizatave. Qeveria e Republikës së Kosovës respekton në tërësi të drejtën e protestës, si një mjet për të shprehur shqetësimet dhe pretendimet qytetare. Por, po ashtu, kjo qeveri vlerëson se protesta nuk duhet të përdoret për të përmbushur ambiciet për pushtet, duke qenë se pushteti fitohet vetëm me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës, e jo me dhunë dhe përmes rrugës”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Sipas zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, dhuna e protestës së të martës ishte e planifikuar. Ai shtoi se ultimatumet e rrugës të vëna nga minoranca nuk do të kenë sukses, ndërsa lavdëroi Policinë e Kosovës për – siç tha – shpëtimin e Kosovës nga një e keqe.

“Kjo është një tentativë për marrjen e pushtetit me dhunë. Pushteti fitohet me votën e lirë qytetare dhe jo me aktet e dhunës politike. Në këtë shtet, vetëm vota e lirë e përcakton qeverinë. Shantazhimet dhe ultimatumet e rrugës nuk do të kenë sukses. Qeveria e Kosovës, siç e tha edhe kryeministri, populli i Kosovës dhe të gjithë ndërkombëtarët në Kosovë janë kundër dhunës dhe ata që prodhojnë dhunë e që u gëzohen pamjeve të dhunës në Prishtinë, janë në minorancë”, tha në deklaratën e tij zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.

Qeveria e Kosovës nuk do të ndërmarrë masën e shkarkimit për ministrin serb Aleksandër Jabllanoviç. Për kryeministrin Mustafa, çështja e Jabllanoviçit dhe e Trepçës janë vetëm pretekste, që po përdoren nga opozita për protestë. Ai njëkohësisht bëri të ditur se e ardhmja e gjigantit metalurgjik nuk do të jetë temë e dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel.

“Sheshi në të cilin u organizua protesta nuk është sheshi i Jabllanoviçit. Është sheshi ‘Ibrahim Rugova’, është sheshi ‘Skënderbej’ dhe sheshi ‘Zahir Pajaziti’. Është fakt që as Jabllanoviçi dhe, për fat të keq, as Trepça nuk qenë subjekte të asaj që ndodhi sot. Trepça është shumë e qartë, ajo është e jona, është në territorin e Republikës së Kosovës dhe askush nuk ka thënë ndonjëherë se është hapur dialogu për të në Bruksel, as në mendje nuk e kemi ta hapim atë dialog. Sot thirrjet në protestë më së paku kanë qenë për Jabllanoviçin, por kryesisht kanë qenë thirrje për rrëzimin e qeverisë”, vijoi më tej kryeministri Isa Mustafa.

Top Channel