Cassano largohet nga Parma, kishte 7 muaj pa u paguar

27/01/2015 00:00

Antonio Cassano ka vendosur të largohet nga Parma pas 7 muajve pa marrë pagën që i takonte për shkak të situatës së rënduar financiare të klubit italian.

“U tallën me ne gjatë këtyre 7 muajve dhe shkatërruan Parmën. Me këtë vendim që kam marrë, unë humb 4 milionë euro, por dinjiteti është më i rëndësishëm sesa paratë”, tha sulmuesi.

32-vjeçari shtoi se tashmë do të presë një ofertë gjatë merkatos së dimrit dhe nëse ajo nuk vjen, do të bëjë 6 muaj pushim dhe do të shohë nëse ka oferta nga klubet europiane në qershor. Nëse jo, do të lërë futbollin.

“Menaxheri më ka folur për oferta nga SHBA-ja, por unë dua të luaj në Europë. Në Amerikë do të shkoj kur të jem 40 vjeç e të mos kem më fuqi të luaj”, tha Cassano, i cili me Parmën ka shënuar 18 gola e ka dhënë 10 pasime për gol në 56 ndeshje të luajtura.

Parma aktualisht renditet e fundit në klasifikimin e Serisë A me 9 pikë pas 20 ndeshjeve të luajtura.

Top Channel