“Ja 4 sëmundjet që u marrin jetën shqiptarëve”

27/01/2015 00:00

Sëmundjet e zemrës konsiderohen si vrasësi kryesor i shqiptarëve. Një studim i publikuar këtë të martë nga ISHP, mbi gjendjen shëndetësore të popullatës, vëren se 55% e numrit total të vdekjeve në vend vijnë pikërisht për shkak të këtyre sëmundjeve.

Për herë të parë, raporti ofron një panoramë të gjerë mbi gjendjen shëndetësore. Dhe në të shihet qartë, se sëmundjet që dominojnë mes shqiptarëve janë: kanceri, kardiovaskularet, diabeti dhe ajo pulmonare obstruktive kronike.

Ajo që përbën një shqetësim për shëndetin publik në këtë raport, përtej shifrave alarmante, është fakti se pritet një rritje potenciale e tyre në dekadat e ardhshme.

Në vitet e fundit, 88% e vdekjeve në Shqipëri ndodhin për shkak të sëmundjeve kronike. Prej të cilave, vendin e parë e zënë sëmundjet e zemrës me 55% të rasteve. Të dytat renditen sëmundjet tumorale me 19%.

Specialistët e ISHP-së arrijnë në përfundimin se, me këtë panoramë sëmundshmërie, Shqipëria i është bashkuar shumicës së vendeve europiane, të cilat po përballen me epideminë e sëmundjeve kronike.

Dhe, për parandalimin e tyre këshillohet që kujdesi të nisë që në fëmijërinë e hershme, me përmirësimin e praktikave të ushqyerjes në foshnjet dhe të porsalindurit, si dhe me kujdesin shëndetësor për të gjitha gratë shtatzëna, që në fazat e hershme të shtatzënisë.

Top Channel