Matura ’97 e gjimnazit të Pukës, ritakim pas 20 vitesh

27/01/2015 00:00

Ata u njohën me njëri-tjetrin në ditën e parë të shkollës, për të kaluar më pas fëmijërinë e të gjithë adoleshencën së bashku.

Fillimisht nxënës të 8-vjeçares “Migjeni”, e më pas gjimnazistë të “35-vjetori i Çlirimit” në qytetin e Fushë-Arrëzit në Pukë, kaluan vitet më të bukura mes shoqërisë së vërtetë, mësimeve, shakave e lojërave.

Ishin thuajse të pandarë, derisa jeta i detyroi të udhëtonin në çdo cep të botës, disa për shkollim, e të tjerë në emigrim. Kjo ishte “matura 1997” e qytetit të vogël verior, deri në momentin kur u rigjetën në Facebook dhe hodhën një ide të veçantë: atë të një ritakimi pas dy dekadash.

20 vite më vonë, më të pjekur, të ndryshuar në pamje, pjesa më e madhe e tyre me familje e fëmijë, por dhe me profesione nga më të shumëllojshmet, 20 miqtë e maturës ’97 u ritakuan në Tiranë.

U desh vetëm të hidhej idea dhe shumë shpejt ata udhëtuan nga Greqia, Italia, Finlanda e qytete të ndryshme të vendit, për t’u riparë e për të qëndruar sërish me njëri-tjetrin. Entuziazmi dhe dëshira e madhe bënë që idea të finalizohej brenda pak ditësh, ndaj dhe 21 shkurtin e 2014-s ata u çmallën duke biseduar, kërcyer e qeshur, sikur vitet të mos kishin kaluar kurrë.

Top Channel