Të takosh babanë pas 40 vitesh

27/01/2015 00:00

Historia e tyre është nga ato, të cilat në jetën reale mund t’i gjesh 1 në një milion. Nga ato histori, ku pavarësisht dramës disavjeçare, fundi është gjithmonë i lumtur.

E tillë është edhe historia e Pjetër dhe Lekë Shkozës. Sot babë e bir, respektivisht 104 dhe 63 vjeç, shijojnë praninë e njëri-tjetrit. Por deri 25 vite më parë, Pjetri dhe Leka nuk njiheshin fizikisht.

Ishte viti 1951, kur Pjetër Shkoza, kundërshtues i fortë i regjimit të asaj kohe, ishte arratisur me të vëllanë në Amerikë. Në Laç la vajzën e vogël dhe gruan shtatzënë, nga e cila priste edhe një djalë, Lekën. Deri në ndryshimin e sistemeve, për 40 vite me radhë, ai nuk mundi të vinte kurrë në Shqipëri.

“Lashë këtë djalë pa leje, Lekën, por edhe babanë kur ika. Megjithatë nuk krijova familje tjetër në Amerikë, kurrsesi”, thotë Pjetri.

Komunikimi me familjen gjatë atyre viteve ishte shumë i vështirë.

“Letrat tona kurrë nuk ua kanë dhënë familjeve. Vetëm çfarë shkruanin vet ata, i di vetëm i madhi Zot se çfarë u kanë shkruar dhe sa kanë vuajtur familjet tona”, shton më tej Pjetri.

Viti ’90 ishte viti, kur Pjetri dhe Leka do të takoheshin për herë të parë pas 40 vitesh. Vendtakimi ishte Budapesti, ku qëndruan dy javë me radhë. Pjetri do të kthehej përfundimisht në Shqipëri një vit më pas, atëherë kur u ndërruan edhe sistemet.

Shpeshherë Pjetri kishte menduar se të birin s’do ta takonte kurrë. Prandaj ai kishte menduar një dhuratë shumë simbolike për të birin, të cilën Leka e mban edhe sot e kësaj dite.

“Kjo është një unazë ari. Ta kam dhënë të kishe një shenjë të artë, dhe ti e ke ruajtur si sytë e ballit, nuk e ke humbur”, i drejtohet të birit, Leka.

Top Channel