“Sfida e jetës sime: Jam i verbër, por dua të jetoj si gjithë të tjerët”

27/01/2015 00:00

Në këtë qoshe kalon fundjavën 34-vjeçari Lulzim Xhaferras, i cili ka humbur shikimin vite më parë, në fëmijëri.

Dy nga bashkudhëtarët e jetës së tij, bashkëshortja dhe djali i vogël nuk i ndahen thuajse kurrë, as në ditët më të ftohta të vitit. E treta është fizarmonika, ajo që duket sikur e shkëput nga pjesa tjetër e botës dhe e çon në të tjera dimensione.

Ajo është shumë e rëndësishme për Lulzimin, veçanërisht kur bëhet fjalë për bukën e gojës, të cilën ai ka vendosur ta fitojë me shumë dinjitet. Lulzimi ka vendosur të mos i shtrijë dorën askujt për lëmoshë. Preferon, që në këmbim të bujarisë së atyre, të cilët hedhin parà në kutinë metalike, ai t’u dhurojë disa tinguj të ngrohtë fizarmonike.

Por, kjo qoshe nuk është e rastësishme. Pak metra më tutje gjendet Fakulteti i Shkencave Sociale. Lulzimi është student i vitit të katërt “part time”, për Punë Sociale. Minutat e pushimit mes orëve të mesimit, që nuk i humbet asnjëherë, ai i shfrytëzon për të fituar ndonjë të hollë më tepër. I përpiktë në maksimum, nxiton për të qenë në auditore përpara se të hyjë pedagogia. Ndihmën e gjen te të gjithë shokët e klasës.

Puna sociale e tërheq së tepërmi. Leksionet dhe seminaret i marrin atij të gjithë vëmendjen dhe e transformojnë në një student të përkushtuar. Shpresa e tij është që e ardhmja t’i sjellë një punë më të mirë, dhe qoshja të shndërrohet në një zyrë, ku ai mund të punojë si të gjithë të tjerët…

Top Channel