Itali, miratohet reforma elektorale e Renzit, pavarësisht kritikave për bashkëhartim me Berlusconin

27/01/2015 00:00

Senati italian ka miratuar reformën elektorale të kryeministrit Matteo Renzi, gjatë së martës, pavarësisht kritikave të ashpra nga të majtë të partisë së tij, për paktin “e bashkëhartuar” me Silvio Berlusconin.

Projektligji kaloi me votat pro të 184 deputetëve, 66 prej tyre votuan kundër, ndërkohë që shumë të tjerë në Senatin prej 315 vendesh preferuan të mos merrnin pjesë në votim. Projektligji do t’i kalojë tashmë Dhomës së Deputetëve për miratimin përfundimtar, që pritet të ndodhë gjatë muajve në vijim.

Ndryshimi i rregullave të votimit, për të përcaktuar një fitues të qartë të zgjedhjeve dhe qeveri më të qëndrueshme në të ardhmen, ka qenë një prej prioriteteve të kryeministrit Renzi, që kur ai u bë udhëheqës i Partisë Demokratike në fund të vitit 2013.

Ajo që ka mërzitur disa prej të majtëve të partisë së tij është vendosmëria e Renzit për ta bërë këtë reformë në bashkëpunim me Berlusconin, ish-kryeministrin që vetëm pak kohë më parë ata e panë të përjashtohej nga politika pas largimit nga Senati, për shkak të një dënimi që mori për evazion fiskal në vitin 2013.

I ashtuquajturi “Pakti Nazarene”, i emëruar nga vendndodhja e selisë së PD-së italiane në Romë, në rrugën e “Nazareno”-s, ku Renzi u takua për herë të parë me Berlusconin për reformën elektorale, në janar të vitit të kaluar, është bërë çështja qëndrore e politikës së Italisë.

Renzi refuzon idenë se ekziston ndonjë axhendë e fshehtë në marrëveshjet me Berlusconin, por dyshimet janë shtuar edhe më tepër nga fakti se versioni i fundit i reformës elektorale duket qartësisht kundër interesave personale elektorale të Berlusconit.

Kjo, për shkak se reforma e fundit i jep më shumë përparësi dhe më shumë vende parlamentare partisë fituese të zgjedhjeve, krahasuar me bonusin ndaj koalicionit fitues që ishte rënë paraprakisht dakord.

Berlusconi rezulton një krijues tepër i aftë i koalicioneve të qendrës së djathtë, por sondazhet tregojnë se partia e tij “Forza Italia” është vetëm e treta apo e katërta më e madhja në vend, kështu që do të kishte shumë pak shanse për të përfituar bonusin e vendeve parlamentare.

Bonusi shkon për partinë që fiton më shumë vota, për sa kohë që ajo merr më shumë se 40 përqind të totalit të tyre. Nëse askush prej partive nuk merr 40 përqind në raundin e parë, një raund i dytë do të vinte dy performuesit më të mirë në një garë të drejtpërdrejtë përballë njëri-tjetrit.

Top Channel