70 vjet nga Holokausti, Bushati: Ekstremizmi ushqehet nga urrejtja

27/01/2015 00:00

Megjithëse kanë kaluar 70 vjet nga Holokausti famëkeq, kërcënimi ndaj lirisë dhe vlerave perëndimore është më shumë se kurrë alarmues pas ngjarjeve të Parisit.

“Nën përkufizimin e një lufte të shenjtë çlirimtare, me mijëra të rinj kthehen në luftëtarë të një kauze vrastare që nuk kursen askënd dhe asgjë, shtyrë nga injoranca, mjerimi dhe ndjesia e mënjanimit nga një shoqëri e verbuar nga nginja dhe nënvleftësuese e ripërtëritjes së përbindëshit të barbarisë”, theksoi Bushati.

Për ministrin e Jashtëm shqiptar, përballja me terrorizmin do të jetë e suksesshme vetëm nëse kuptojmë, luftojmë e transformojmë mjedisin që e ushqen atë, sikundër nuk duhet harruar e shkuara e aq më pak të mbulohet nga indiferentizmi.

“Të harrosh Holokaustin do të thotë ta vrasësh dy herë”, theksoi ministri i Jashtëm.

Meta: Të kujtojmë ç’ka ndodhur në të shkuarën

Ilir Meta ishte pjesë e tryezës së krerëve të parlamenteve europiane në ceremoninë e 70 të përkujtimit të Holokaustit në Pragë. Meta bashkëndau me homologët europianë se “sot më shumë se kurrë, duhet të kujtojmë çfarë ka ndodhur në të shkuarën”.

“Ndërsa kriza ekonomike globale ka tronditur themelet e të gjitha shoqërive të Evropës dhe i ka hapur rrugën ideologjive ksenofobe dhe ekstreme, të gjithë kemi detyrimin për të garantuar që, duke kujtuar mizoritë e së shkuarës, përpjekjet e planifikuara për të asgjesuar kombin hebre, luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, ose konfliktet e tjera sot në botë, të marrim masa ligjore dhe sociale për të parandaluar që ekstremizmi dhe terrorizmi të mbjellin rrënjët e së keqes në shoqëritë tona thelbësisht paqësore”, deklaroi Meta.

Top Channel