Reforma në sistemin energjitik. Nga 2018-a, konsumatorët e mëdhenj dalin nga sistemi shtetëror

27/01/2015 00:00

Kreu i Energjisë Damian Gjiknuri thotë se deri në vitin 2018, konsumatorët e mëdhenj do të dalin nga sistemi aktual i tarifës së rregulluar nga shteti, çka do t’u mundësojë atyre të zgjedhin furnizuesin mbi baza tregu dhe do të lehtësojë barrën e KESH.

Sipas Ministrisë së Energjisë, në 2018-n konsumatorët që do të mbeten në sistem do të jenë ata familjarë dhe konsumatorë të tjerë, të lidhur në tensionin e ulët.

“Deri në fund të këtij viti, do të bëhet liberalizimi me klientët e lidhur në 35 kilovolt, duke vazhduar deri në 2018-n, kur pjesa tjetër e lidhur me tensionin 10, 20 deri 35 kilovolt, të ketë dalë nga tarifat e rregulluara dhe furnizimi me energji të bëhet mbi baza tregu”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë.

Për drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopaç, kjo pjesë e reformës në energji është e rëndësishme për Shqipërinë, në kushtet e një tregu energjetik tejet të varur nga importi, me çmime që – siç shprehet ai – dëmtojnë ekonominë në tërësi.

“Është e rëndësishme të ndajmë infrastrukturën nga aktiviteti tregtar. Infrastruktura duhet të tarifohet nga rregullatori i pavarur ERE, që duhet të ketë rolin e një ‘Gjykate Kushtetuese’ për tregun energjisë elektrike dhe gazit, ndërsa aktiviteti tregtar duhet të jetë nën efektin e konkurrencës. Kjo është e rëndësishme për Shqipërinë, sepse ju jeni shumë të varur nga importi. Keni vetëm hidrocentrale dhe çmimi i importit është i dëmshëm për të gjithë ekonominë. Konkurrenca mund të ndihmojë gjerësisht dhe kjo do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Januz Kopaç.

Sipas Ministrisë së Energjisë, ndarja e Transmetimit dhe Shpërndarjes, që përbën infrastrukturën nga gjenerimi dhe furnizimi i energjisë, do të nxisë konkurrencën e furnizuesve brenda vendit, duke ulur varësinë nga importi.

Top Channel