Pallati te “Zyber Hallulli”, Shërbimi Social: Rrezikon jetën e fëmijëve

27/01/2015 00:00

Drejtoresha e Shërbimit Social, Etleva Bisha, ka akuzuar Bashkinë e Tiranës se, përmes dhënies së lejes për ndërtimin e këtij pallati 11-katësh pranë Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, vë në rrezik sigurinë e jetës së tyre.

“Bashkia e Tiranës kishte 4 vjet kohë për të bërë diçka për fëmijët. U ka premtuar këtyre fëmijëve, edhe për Vitin e Ri sa herë kanë dashur të dalin fotografi me ta. Nuk i kanë mbajtur premtimet, madje kanë gënjyer. Të mos mbash premtimet është diçka, por t’iu ndërtosh në të vetmin shesh publik që ndodhet në këtë bllok, një përbindësh prej betoni, kjo është një fyerje edhe për inteligjencën e një fëmije”, tha drejtoresha e SHS, Etleva Bisha.

Fëmijët, të cilët jetojnë në këtë shtëpi, bartin me vete probleme të mëdha sociale dhe ekonomike, çka bën që riintegrimi i tyre në shoqëri të jetë i vështirë. Por, siguria e tyre në këtë ambient është mjaft i rëndësishëm për punonjësit e kësaj shtëpie, të cilët e shohin këtë ndërtim si një kërcënim real për ta.

Top Channel