Shpëtimi i Prespës nga ndotja, gati projekti trepalësh Shqipëri-Maqedoni-Greqi

27/01/2015 00:00

Komuna Pustec, edhe pse është vënë nën mbrojtjen e UNESCO-s, bart mbi vete një sërë problemesh mjedisore.

9 fshtatrat e kësaj komune përballen me mungesën e ujit të pijshëm, por edhe të sistemit të kanalizimeve. Kryetari i kësaj komune, Edmond Themelko, tha se sistemi i kanalizimeve, por edhe çështja e mbetjeve janë emergjente.

“Të na ndihmojnë në sistemin e trajtimit të ujërave të zeza, sepse në këtë komunë, nga 9 fshatra që ka gjithsej, 7 prej tyre janë pa sistem kanalizimesh. Problem është edhe uji i pijshëm në pjesën më të madhe të këtyre fshatrave”, tha Edmond Themelko.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ishte në këtë komunë dhe tha se sapo ka përfunduar faza e parë e investimit të këtij projekti, që do të shpëtojë liqenin e Prespës nga ndotja, e që lidh bashkë tre shtete, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Greqinë.

“Tashmë ka përfunduar faza e parë e investimit. Fond i KFV-së për investimin e parkut ndërkombëtar biosferë i Prespës, i cili konsiston në përfshirjen e tre shteteve kufitare. Pusteci ngelet në vëmendjen e qeverisë shqiptare”, tha ministri Koka.

Pusteci, si zona që shtrihet në brigjet e liqenit të Prespës, mbetet një nga zonat më tërheqëse për turistët në juglindje të vendit.

Top Channel