Kosovë, reagon opozita: Qeveria, fajtore për situatën e krijuar

27/01/2015 00:00

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar gjatë demonstratës antijabllanoviç në Prishtinë.

“Po të ishte shkarkuar Aleksandër Jabllanoviç dhe po të ishte kthyer ligji për Trepçën, sot nuk do të kishte protesta. Pra, përgjegjësia i takon krejtësisht Qeverisë, e cila po punon me konceptin e Sheshelit dhe Millosheviçit”, tha Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme në orët e mbrëmjes.

Kryetari i Vetëvendosjes po ashtu ka bërë fajtor kryeministrin, Isa Mustafa, dhe zëvendësin e tij, Hashim Thaçi, të cilët sipas tij ndërsyen policët ndaj protestuesve. Ai paralajmëroi sërish protesta.

Ndërkohë, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar në Facebook se policia nuk mund t’i zhbëjë problemet e kaluara nga Mustafa-Thaçi.

“Sado që Policia e Kosovës ka për detyrë të vihet në mbrojtje të rendit dhe ligjit, ajo nuk mund t’i zhbëjë problemet e akumuluara të koalicionit qeverisës LDK-PDK. Ato duhet të zgjidhen nga ata që na sollën në këtë gjendje. Populli nuk do të ndalet së protestuari, deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të drejta qytetare”, ka shkruar Haradinaj.

Top Channel