Basha, ultimatum qeverisë: Të enjten afati për amendamentet e PD-së, në të kundërt protesta

27/01/2015 00:00

Me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” kreu i opozitës ka komentuar raportin e vitit 2014 mbi liritë ekonomike në botë të “Heritage Foundation” dhe “Ëall Street Journal”.

Sipas tij, po ecet prapa në vend që të shkohet përpara. “Prej një viti e gjysmë denoncojmë rrezikun e përqendrimit të pushtetit politik dhe ekonomik, për korrupsionin, kriminalizimin, cenimin e pronës dhe rritjen e taksave. Të gjitha këto i gjejmë tani të konfirmuara edhe në raportet ndërkombëtare”, shkruan Basha në “Facebook”.

Sipas kreut të opozitës, gjendja ekonomike e njerëzve është sot ‘ku thërret qameti’. “Modeli Rama-Meta i taksave të larta e tarifave të rritura në kohë krize vazhdon t’i varfërojë qytetarët, vazhdon ta zhysë ekonominë. Nuk mund te jete ndryshe me një qeveri që kërkon të kontrollojë gjithçka për vete dhe për klientelën e saj. Liria ekonomike është koncepti që na diferencon me këtë qeveri. Ne jemi forca e lirisë, ata forca destruktive e kufizimit”, shprehet kreu i Partisë Demokratike.

Në fund, Basha i vendos dhe një ultimatum qeverisë. “ Te enjten qeveria ka shansin të nisë korrigjimin e kursit, duke anuluar rritjen e taksës së qarkullimit dhe duke ulur me 14 përqind çmimin e energjisë elektrike siç vetë premtoi ne fushate. Në të kundërt do të përballen me forcën e bashkimit të shqiptarëve që refuzojnë të trajtohen si kavje, të mashtrohen, të dhunohen dhe të poshtërohen nga një grusht oligarkësh. Durimit të njerëzve ju ka ardhur fundi”, mbyllet reagimi i Lulzim Bashës.

Top Channel