“Protesta e së martës, rezultat i tensionit të akumuluar”

28/01/2015 00:00

“Nuk besoj se protesta ishte një tentativë për marrje të pushtetit me dhunë, por ajo erdhi si rezultat i tensionit të akumuluar që shpërtheu ditën e martë”

Kështu është shprehur analisti Naim Rashidi në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel, kur ka komentuar zhvillimet e ditëve të fundit në Kosovë, ku foli edhe për çështjen e Trepçës, duke u shprehur se vonimi i ligjit është problemi më i madh i saj.

Pandi Gjata: Si e ke përkufizuar ditën e martë në Prishtinë me protesta të dhunshme?

Naim Rashidi: Kjo situatë erdhi si pasojë e tensionit të krijuar, duke kulmuar me një protestë të dhunshme. Edhe pas protestës situata është e tensionuar dhe deri tani nuk është parë ndonjë zgjidhje. Qëndrimet e të dy palëve, të qeverisë dhe të përfaqësuesve të protestës, nuk kanë ndryshuar në raport me njëra-tjetrën. Njëra palë thërret për vazhdim të protestës, ndërsa pala tjetër akuzon për tentativë të marrjes së pushtetit me dhunë.

Pandi Gjata: Këto zhvillime janë ndjekur me shumë interes edhe në Tiranë. A ishte kjo një protestë e nisur nga deklaratat e ministrit serb Jabllanoviç, apo ishte ashtu siç thotë qeveria, ‘tentativë për të marrë pushtetin me dhunë”?

Naim Rashidi: Nuk besoj se ishte një tentativë për marrje të pushtetit me dhunë, por është një rezultat i “mbushjes së gotës” dhe deklarata e Jabllanoviç sa kristalizoi mllefin e akumuluar prej muajsh e vitesh, në veçanti në periudhën 6 mujore të vitit të kaluar. Në këto 6 muaj, të gjithë liderët dhe politika kanë injoruar në tërësi tensionin e qytetarëve, i cili ishte i shkaktuar nga ata. Formimi i qeverisë kulmoi me një situatë të pashpresë për qytetarët, të cilët gjithnjë e më shumë janë të gatshëm të dalin në rrugë për të protestuar.

Pandi Gjata: A e shikoni si një hakmarrje të opozitës ndaj LDK dhe Isa Mustafës?


Naim Rashidi:
Natyrisht që po. Opozita dhe përkrahësit e saj janë tejet të hidhëruar me LDK dhe Mustafën sesa me Thaçin. Lëvizjet e zotit Mustafa ende nuk janë arsyetuar me lëvizje të qeverisë. Kjo qeveri e mori detyrën pas 6 muajve “vdekje klinike” të institucioneve të Kosovës dhe do të nevojiten masa të rëndësishme dhe serioze për të treguar që qeveria mund të përmirësojë shërbimet dhe mund të rikthejë shpresën.  Tani për tani situata është shumë pesimiste.

Pandi Gjata: Në anën tjetër qeveria “Mustafa” nuk ka plan shkarkimin e ministrit serb, në anën tjetër VV nuk mendon të tërhiqet. Cila është zgjidhja?

Naim Rashidi: Zoti Mustafa dhe e gjithë qeveria e ka injoruar këtë çështje. Shumë qytetarë ndjehen të ofenduar, jo vetëm të dhunuar, me deklaratat e Jabllanoviç dhe me listën “Srbska”. E dyta, VV gjeti momentin për të marrë udhëheqjen e kësaj çështjeje. Besoj se VV vetëm sa i ka kanalizuar protestat, por pas saj është një mllef i akumuluar. Mbetet që qeveria të marrë masa, duke gjetur rrugën për zëvendësimin e ministrit. Kjo çështje duhet dhe mund të zgjidhet në kuvend.

Pandi Gjata: Si është e lidhur historia e Trepçës? Pati një grevë të minatorëve, patëm një pakt të qeverisë dhe minatorëve për ta pezulluar grevën, por ndërkohë sherrin po e bën politika…

Naim Rashidi: Vonimi i ligjit është problemi më i madh i Trepçës. Qeveria e kaluar e ka vonuar dhe ka dështuar ta kalojë, por edhe qeveria e re ka dështuar ta shpjegojë procesin e Trepçës. Pronësia e Kosovës mbi Trepçën nuk mund të kontestohet dhe as nuk do të negociohet në dialogun me Serbinë. Ajo që mbetet të adresohet është çështja e punëtorëve serbë, të cilët janë rreth 2500 punëtorë. Duhet të krijohet një hapësirë nga 3 deri në 6 muaj që qeveria, bashkë me opozitën, të ndërtojë një komision dhe të bëjë ligjin e duhur për Trepçën, të bëjë transformimin e saj ligjor. Vetëvendosja duhet të heqë dorë nga protestat në lidhje me Trepçën dhe t’i jepet kohë parlamentit.

Pandi Gjata: Nga mënyra sesi ka nisur 2015-ta, me gjithë këto zhvillime, a shikon një vit me stabilitet politik në Kosovë?

Naim Rashidi: Ka një vullnet të fuqishëm qytetar për të shprehur në një mënyrë ndryshe protestën, ndaj gjendjes së tyre sociale dhe ekonomike dhe ka rrezik që viti të vazhdojë të jetë me protesta nëse qeveria e Kosovës nuk nis dialogun me qytetarët.

Top Channel