Të Drejtat e Njeriut, Turqia përballet me kritika të ashpra në OKB

28/01/2015 00:00

Turqia u përball të martën me kritika të ashpra në një shqyrtim të Kombeve të Bashkuara të gjendjes së të Drejtave të Njeriut , ku diplomatët dënuan kërcënimet ndaj gazetarëve dhe reagimin e policisë ndaj demonstruesve.

“Ne jemi të shqetësuar në lidhje me kufizimet e lirisë së shprehjes, duke përfshirë censurim të mediave të reja dhe internetit”, deklaroi përfaqësuesi amerikan, Keith Harper, në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB. Komentet erdhën në kuadër të Rishikimit Periodik Universal, të cilit i nënshtrohen të 193 vendet anëtare në OKB çdo 4 vjet.

Megjithatë, përfaqësuesit e Turqisë deklaruar se vendi i tyre kishte bërë përparime të mëdha mbi të Drejtat e Njeriut dhe lirinë e shprehjes. Ndërsa për mbajtjen e tubimeve, Buelent Arinç, zëvendëskryeministri i Turqisë, tha se ato janë “të domosdoshme” si pjesë e rendit demokratik të vendit. Ai pranoi se ka pasur gazetarë të ndaluar, por këmbënguli se paraburgimi i tyre “nuk ishte i lidhur me veprimtarinë e tyre gazetareske”.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Harper vuri në dukje ndërhyrjet e qeverisë ne sektorin e gjyqësorit dhe zbatimit të ligjit, duke përfshirë përpjekjet për riorganizimin e gjykatave, duke paralajmëruar se kjo “minon sundimin e ligjit”.

Përfaqësuesja britanike, Karen Pierce shprehu shqetësim lidhur me “kufizimet në liritë e tubimit dhe shprehjes dhe ndarjen e pushteteve”,  duke i bërë thirrje Ankarasë që të “sigurojë që reformat gjyqësore të zbatohen në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

Ndërkohë, pati edhe nga ata që e kritikuan Turqinë në lidhje me diskriminimin kundër pakicave.

Top Channel