Kupa e Mbretit, Barça ose Atleti, njëra do të duhet të largohet

28/01/2015 00:00

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, u ka bërë të ditur lojtarëve të tij se duhet të luajnë çdo minutë “si të ishte e fundit”, nëse do të duan të mposhtin Barcelonën dhe të kualifikohen për në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit, mbrëmjen e së mërkurës.

Atletico do të luajë në “Vicente Calderon” me disavantazhin e një goli, pas humbjes 1-0 në takimin e parë të luajtur në “Camp Nou”, ku Messi shënoi në minutën e 85, javën e kaluar.

Ndoshta ai rezultat nuk është një avantazh i madh për Barçën, por Simeone është i ndërgjegjshëm për vështirësinë e përballjes së dytë, për më tepër ku bëhet fjalë ndaj një kundërshtari që ka fituar 16 nga 18 ndeshjet e fundit zyrtare, gjatë të cilave ka shënuar 61 gola dhe ka pësuar vetëm 7. Ndërsa në përballjet direkte me Atleticon, katalanasit kanë humbur vetëm 1 nga 14 të fundit.

“Duhet ta përjetojmë çdo minutë si të ishte e fundit e lojës, pasi duke bërë këtë do të mund të kemi një mundësi më të mirë për të arritur objektivin tonë”, tha Simeone në konferencën për shtyp përpara ndeshjes. “Duhet të luajmë në atë mënyrë nga minuta e parë deri në të 95-tën, apo sado që të zgjasë takimi. Fakti që luajmë ndaj tyre nuk do të thotë që ta flejmë mendjen dhe të rrimë të shohim si luajnë ata”.

Trajneri i Barçës, Luis Enrique, edhe pse nuk ka qenë në krye të “blaugranave” gjatë sezonit të kaluar kur ata u mposhtën nga Atletico në Champions League, thotë se ka studiuar gjithçka ka ndodhur atëherë dhe nuk pret të shohë ndonjë reagim ndryshe nga Atletico. “I kam parë të gjitha ndeshjet e Barcelonës nga sezoni i kaluar. I kemi analizuar ato të këtij sezoni gjithashtu. Ndaj pres të njëjtin stil loje nga Atletico, aq më tepër që ata luajnë në fushën e tyre. Besoj se do të jetë një ekip i fortë për t’u mposhtur”.

Top Channel