Milani jashtë Kupës, Inzaghi konfirmohet: Dua të qëndroj përjetë këtu

28/01/2015 00:00

Përpara se të vinin deklaratat e tij pas ndeshjes me Lazion, që mposht për herë të dytë Milanin brenda pak ditësh, duke e eliminuar edhe nga Kupa e Italisë, vijnë fjalët e drejtuesve të klubit kuqezi.

I referohen një telefonate të zhvilluar mes Berlusconit dhe Gallianit: “Nuk do të ndryshojmë, do të vazhdojmë përpara me Pippo Inzaghin”. Kuqezinjtë vazhdojnë të ruajnë të njëjtën linjë, duke bërë prapa-kthehu nga “ultimatumi” i para pak ditëve, kur u tha se kjo ndeshje do të ishte decizive.

Në fakt, edhe pse i thanë “lamtumirë” Kupës së Italisë, kjo humbje 1-0 e pësuar nga një ekip me 10 lojtarë prej më shumë se një pjese loje, nuk përbën dëmin më të madh të mundshëm…

E pas këtyre fjalëve ka ardhur edhe radha e Inzaghit, pas ndeshjes.

“Do të qëndroj në krye të Milanit? Nuk më interesojnë aspak këto diskutime. Më pëlqen që kam humbur një ndeshje të luajtur kështu, të vendosur vetëm nga episode. Duhet të rinisemi, duke bërë atë që dimë të bëjmë më mirë. Dhamë gjithçka, madje kemi dhënë shumë, por gjithsesi nuk ka mjaftuar. Si ndihem? E çuditshme, por Ferguson ka arritur të fitojë titullin e parë pas 7 sezonesh në Manchester. Edhe Mancini, që është fenomen mes trajnerëve, ka vështirësitë e tij. Nuk ndihem i dëshpëruar, thjesht do të vazhdoj rrugën time, por jam i bindur se Milani do të rilindë”.

Sa i përket ndeshjes, “nuk kemi qenë inferiorë ndaj Lazios, por duke qenë se ata ishin me 10 lojtarë duhet të ishim më të organizuar. Dy gola u kemi shënuar, por u anuluan dhe kam dyshime për to. Në Romë kemi luajtur shumë më keq. Ndoshta jemi edhe disi fatkeq, pasi shumë lojtarë ndihen të pamotivuar, ndërsa nuk kemi shumë zëvendësues në dispozicion. Megjithatë nuk dua të kërkoj justifikime. Duhet të rikthehemi patjetër te fitorja, pasi veç saj nuk vlen asgjë”.

Top Channel