Meksikë, ekzekutimi i 43 studentëve, një rast i identitetit të gabuar

28/01/2015 00:00

Autoritetet meksikanë kanë deklaruar se nuk i kanë dhënë ende fund hetimeve. Sipas tyre, ka ende të dyshuar që duhen arrestuar, ndërkohë që shumë të paraburgosur duhen nxjerrë para drejtësisë për gjykim…

Por, kryeprokurori meksikan, Jesus Murillo Karam, tha se ekziston “siguria ligjore” që 43 studentët e zhdukur 4 muaj më parë në shtetin meksikan të Guerreros të jenë vrarë.

Në një konferencë për shtyp nga qyteti i Meksikos, të martën, Murillo Karam tha se 99 të dyshuar janë arrestuar deri më tani. Autoritetet kanë marrë gjithashtu qindra dëshmi, rrëfime dhe pjesë të ndryshme të konsideruara prova të vyera.

“Këto dhe shumë elementë të tjerë që kemi gjetur gjatë hetimeve, na lejojnë të zhvillojmë një analizë në lidhje me shkaqet logjike dhe, padyshim, mund të arrijmë në përfundimin se studentët për mësuesi janë rrëmbyer, janë vrarë e djegur, e në fund janë hedhur në lumin “San Juan” në atë gjendje skandaloze”, tha Murillo Karam.

Sa i përket arsyes përse janë vrarë ata, Tomas Zeron de Lucio, kreu i Agjencisë së Hetimeve Kriminale të Meksikës, tha se ky është një rast i identitetit të gabuar. Me fjalë të tjera, grupi kriminal i akuzuar për ekzekutimin e studentëve, mund të ketë besuar se ata i përkisnin një grupi rival kriminal, të cilët operojnë po në qytetin e Igualas, ku studentët janë parë për herë të fundit.

“Mund të dalim në konkluzionin se motivi i vrasjes së tyre është se studentët janë identifikuar nga kriminelët si anëtarë të një organizate rivale kriminale, e cila operonte gjithashtu në atë rajon. Ky është shkaku, përse atyre iu privua liria fillimisht, e më pas u mori jetën”, tha Zeron de Lucio.

Ish-kryebashkiaku i Igualas, Jose Luis Abarca, është akuzuar gjithashtu në këtë çështje, teksa është në pritje të seancës gjyqësore, me akuzën e “organizatorit të rrëmbimit dhe ekzekutimit të 43 studentëve”.

Studentët besohen të jenë kapur nga policia e Igualas fillimisht e më pas u janë dorëzuar një grupi kriminal. Ende nuk ka asnjë të dhënë, nëse Abarca ishte ai që i donte ata të vdekur – thonë autoritetet, – por grupi kriminal i ka ngatërruar ata si pjesëtarë të një grupi rival, duke i ekzekutuar. Edhe gruaja e Abarcas, Maria de los Angeles Pineda, është ndër të akuzuarat gjithashtu.

Top Channel