“Apple”, fitime rekord në tremujorin e fundit të 2014

28/01/2015 00:00

Gjiganti i teknologjisë “Apple” raportoi fitimin më të madh, të siguruar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, gjatë të gjithë historisë së kompanive publike.

18 miliardë dollarë neto të siguruara në tremujorin e fundit fiskal, me një rritje prej 37% të të ardhurave, sipas “Standard and Poor’s” kapërcejnë edhe 15,9 miliardët, që fitoi “Exxonmobil” në tremujorin e dytë të 2012-s, por edhe rekordin e mëparshëm të “Gazprom”-it në tremujorin e parë të 2011-s prej 16,2 miliardë dollarësh.

Pas kësaj dallge të ardhurash të “Apple”-it qëndrojnë shitjet rekord të “iPhone”-ve. 74,5 milionë të tillë janë shitur në tre muaj deri më 27 dhjetor, një nivel ky shumë më i lartë se pritshmëritë e ekspertëve.

“Interesi ndaj produkteve të Apple është tepër i lartë gjatë gjithë kohës, duke befasuar edhe pritshmëritë tona”, tha kreu ekzekutiv i kompanisë, Tim Cook, në një videokonferencë me analistët. “Kjo sasi shitjes është vështirë të kuptohet”, tha ai, i cili shtoi më pas se “Apple” ka shitur mesatarisht rreth 30 mijë iPhone çdo orë.

Aksionet e “Apple” pësuan një rritje me 5% me t’u hapur bursa, pas këtij lajmi.

Top Channel