BE: Borxhi grek s’mund të falet, afatet e shlyerjes janë mbi 30 vjet. Tsipras, kërkesë të pavlefshme

28/01/2015 00:00

Ministrat e Financave të BE-së u përpoqën të reagonin të qetë, lidhur me lajmet për koalicionin e të majtëve dhe të djathtëve populistë në Greqi.

Kreu i 19 vendeve të eurozonës, holandezi Jeroen Dijsselbloem, njoftoi se do të shkojë në Athinë të premten për t’u takuar dhe njohur me ministrin e Financave, i cili e konsideron programin e donatorëve ndërkombëtarë për Greqinë një “torturë financiare”.

Nga analiza, që “Deutsche Welle” i bën situatës postzgjedhore të shtetit helen dhe jehonës së saj në kontinentin e vjetër, rezulton se krerët e Financave të bllokut europian po presin për momentin të mësojnë, se cilat janë përfytyrimet e qeverisë së re për bashkëpunimin e mëtejshëm sa i takon financimit të vendit.

Dëshira për qëndrimin e Athinës në eurozonë u theksua nga Dijsselbloem, ndërsa ministri gjerman i Financave, Ëolfgang Schauble, u kujdes të sqaronte se “po nuk deshën më ndihma grekët, ne nuk kemi pse ngulim këmbë”.

Programi aktual i ndihmës për Greqinë përfundon më 28 shkurt. Kur ai të mbyllet me një raport final të Trojkës së inspektorëve të BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, atëherë mund të diskutohet për një kredi të mëtejshme parandaluese, në rastin e ndonjë emergjence fiskale.

Përpos kësaj, ende nuk është paguar kësti i fundit i programit që po skadon. Në këtë situatë, “nga zgjedhjet në Greqi nuk ka ndryshuar gjë, – tha Schauble në Bruksel. – Ne jemi fare të qetë”, shtoi ai.

Gjermania, siç kujtoi ministri, ka kontribuuar relativisht shumë për faljen e një pjesë të borxhit grek, kur para tre vjetësh kreditorët privatë ia lanë Greqisë rreth 100 miliardë euro. Por, për momentin, faljen e borxhit aktual, Bashkimi Europian e konsideron të panevojshme.

Afatet për shlyerjen e borxhit nga ana e Greqisë janë mbi 30 vjet. Edhe rreth 240 milionë eurot që duhet të paguajë Greqia, si përqindje interesi për kredinë, janë kthyer në formë këstesh.

Sipas parashikimeve të FMN-së, në rast se Greqia vazhdon me kursin e deritanishëm deri në vitin 2020, boxhi i saj do të ulet nga 170% të prodhimit bruto në 112%, çka e bën të pavlefshme kërkesën e kryeministrit Alexis Tsipras për falje borxhi.

Top Channel