PD: Rama, hakmarrje ndaj protestuesve të naftës; reagon qeveria

28/01/2015 00:00

Tre ditë pas protestës kundër çmimit të naftës, Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se po vepron si në një shtet policor për të intimiduar qytetarët e pakënaqur nga keqqeverisja.

“Menjëherë pas protestës së qytetarëve kundër cmimit të lartë të karburantit, Edi Rama ka nisur hakmarrjen duke e urdhëruar policinë e shtetit në një ofensivë gjobash e ndëshkimesh për drejtuesit e mjeteve që ndaluan të hënën për 5 minuta makinat”, deklaroi zëdhënësja e PD-së, Oriela Nebiaj.

Në deklaratën e opozitës munguan të dhëna konkrete se sa gjoba janë vendosur nga policia, në cilat qytete janë vendosur, ose sa ankesa janë bërë nga qytetarët për të tilla gjoba të paligjshme. Por në deklaratë nuk mungoi thirrja për protesta.

“Megjithëse Policia e Shtetit ishte vënë në dijeni për këtë protestë, ajo ka marrë urdhër të gjurmojë makinat dhe targat dhe të ndëshkojë qytetarët që u ngritën kundër taksave të larta të Edi Ramës. Ky është reagimi i një oligarku që sundon mbi qytetarët dhe që refuzon të dëgjojë zërin e tyre. Manovra dhe gjeste policore si këto bënte regjimi i vjetër në agoninë e tij. Qytetarët e vendit do të ngrihen edhe më të shumtë, edhe më të bashkuar. Ky regjim oligarkësh që varfëron popullin, krijon papunësi e padrejtësi do të ndalet. Partia Demokratike do të jetë në krye të protestave, që nuk do të ndalen derisa e keqja të shkulet me rrënjë”, tha Nebiaj.

Pas kësaj deklarate Ministria e Brendshme tha se gjithçka është një shpifje dhe se ditën e protestës nuk është vendosur asnjë gjobë, pavarësisht se janë identifikuar rreth 330 makina në të gjithë vendin që kanë bllokuar trafikun.

Sipas të dhënave të policisë, rreth 30% e këtyre makinave kanë rezultuar ose të pasiguruara, ose me detyrime të papaguara që varionin nga 2 në 19 gjoba të papaguara.

Top Channel