Fillon punë qeveria e re greke, Tsipras përcakton 4 prioritetet emergjente

28/01/2015 00:00

Duke uruar të gjithë anëtarët e kabinetit të tij për suksese në punën e tyre të vështirë që do të kenë, kryeministri grek Aleksis Tsipras ka filluar mbledhjen e parë të qeverisë së re.

Bashkëqytetarët tanë duan ndryshime të menjëhershme, një stil të ri qeverisës, pa fenomene si arroganca politike, shpenzime buxhetore dhe korrupsion, ka thënë ai, duke shpallur në fjalimin e tij katër boshtet kryesore, ku do të përqëndrohet qeveria e re.

1. Përballimi i krizës humanitare për të ndihmuar shtresat e varfra të popullsisë.
2. Mbështetja e ekonomisë me politika për luftën ndaj papunësisë.
3. Negociata me partnerët, që Greqia të dalë nga rrethi vicioz i recesionit.
4. Reforma radikale në pushtetin lokal, luftë ndaj korrupsionit, evazionit fiskal, sistem i drejtë taksash
.

Radikalët e majtë kanë premtuar se do t’u japin fund privatizimeve të kompanive shtetërore dhe gjysmështetërore të filluara nga qeveria e mëparshme, duke filluar që me pjesën tjetër të portit të Pireut, të aeroporteve të vendit që do të shiteshin, si dhe të Kompanisë shtetërore të Shërbimit Elektrik të vendit.

Në programin qeveritar theksohet se do të fillojnë reforma të rëndësishme në arsim, do të rikthehet paga minimale dhe paga e 13 shtesë, si dhe do të anulohen gjithë pushimet nga puna në sektorin shtetëror, që janë bërë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Masat e para të cilat kemi thënë që do të merren janë rivendosja e  ligjshmërisë dhe korrigjimi i padrejtësive. Nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por për anulimin e pushimeve të paligjshme nga puna”, deklaroi Jorgos Katrugalos, zv.ministër i Administratës Publike.

Tsipras ka deklaruar se mirëpret kreun e PE-së dhe të eurogrupit këtë javë në kryeqytetin grek, duke dhënë edhe njëherë mesazhin jashtë Greqisë, se Athina nuk shkon në negociata për t’u prishur me partnerët, por edhe nuk do të pranojë një politikë të nënshtrimit.

Ai gjithashtu nuk ka nguruar t’i kërkojë llogari BE-së për deklaratën e përbashkët të vendeve anëtare kundër Rusisë për çështjen e Ukrainës, e cila është publikuar pa u pyetur Athina.

“Për ne, ky është një gabim institucional nga momenti që ka ndryshuar qeveria greke, pasi është një fazë me mungesë informacioni nga ana e BE-së dhe marrjes së një vendimi unanim nga të gjithë. Dhe ne tek kjo po përqendrohemi”, deklaroi Gavril Sakelaridhis, zëdhënësi i qeverisë.

Nën presionin e deklaratave të Kancelares Merkel orët e fundit, se nuk do të ketë këst të ardhshëm për Greqinë dhe as reduktim të borxhit, por vetëm zbatim të reformave, bursa greke ka regjistruar përsëri humbje, ndërsa edhe norma e interesit të obligacioneve 10-vjeçare greke u rritën mbi 10%, duke reflektuar shqetësimet e investitorëve në lidhje me rreziqet afatshkurtra të një ristrukturimi të borxhit gjatë muajve të ardhshëm.

Top Channel