Rihanna, McCartney dhe West, në “Grammy Awards 2015”

28/01/2015 00:00

Vetëm pak kohë më parë u mësua se një këngë e re, me titull “Four Five Seconds”, do të shihte të bashkëpunonin tre figura tepër të shquara të muzikës botërore, pikërisht Sir Paul McCartney, Kanye West dhe Rihanna.

Ndërsa tashmë bëhet e ditur se trioja pritet të performojë për herë të parë këtë prodhim të ri në ceremoninë e ndarjes së “Çmimeve Grammy 2015”.

26-vjeçarja Rihanna, e konsideruar si princesha e Pop-it, do të ngjitet në skenën e improvizuar në “Staples Center” të Los Angeles, më 8 shkurt, së bashku me yllin legjendar të “Beatles”, si dhe Rapper-in e njohur, për të interpretuar pikërisht “Four Five Seconds”.

Ky i fundit, partner i Kim Kardashian, sigurisht që nuk mund të mos jetë i gëzuar për rikthimin e tij në skenë, në krah të dy emrave të mësipërm.

Një burim tha për “The Sun”, se “Rihanna është mëse e lumtur që do të zërë një vend të rëndësishëm në ceremoninë ‘Grammy’, por edhe që do të dalë përkrah dy emrave të mëdhenj në këtë rikthim të sajin gjithashtu. Paul McCartney është një pjesëmarrës i rregullt në këtë ceremoni, ndaj dhe do t’i jepte Rihannas një famë edhe më të madhe, fakti që në krah do të ketë një legjendë të ‘Beatles’-ave”.

Sir Paul, 72 vjeç, performoi në ceremoninë e vitit të kaluar së bashku me shokun e tij të bandës muzikore “Beatles”, Ringo Starr, ndërkohë që ka fituar plot 18 Çmime “Grammy” në karrierën e tij të gjatë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel