ISIS kërcënon Obamën, mesazh për Europën dhe për liderin kurd

28/01/2015 00:00

Videoja e fundit e publikuar prej militantëve të ISIS-it, përpos pamjeve të tmerrit të një ekzekutimi me prerje koke, përcjell edhe një mesazh të egër e tepër të guximshëm, shënjestra e të cilit është vetë Presidenti amerikan.

“Ta dish Obama, se ne do të vijmë deri në Amerikë, – thotë në arabisht njëri nga luftëtarët e veshur me të zeza, e me fytyrën të mbuluar. – Ta dish se do të ta presim kokën në Shtëpinë e Bardhë e Amerikën do ta kthejmë në provincë muslimane”.

Paralajmërimet e ekstremistëve nuk kursejnë as vendet e Europës.

“Ky është mesazhi im për Francën dhe motrën e saj, Belgjikën – vazhdon militanti në video. – Ne ju themi se do të vijmë te ju me autobomba dhe eksplozivë, e do presim edhe kokat tuaja”.

“Sa për ty, Masoud Barzani – vazhdon militanti, duke iu drejtuar liderit kurd të vendosur në krye të luftës kundër Shtetit Islamik në Irak, – ti qen, do të ta heqim kokën e do ta hedhim në koshin e plehrave të historisë. Ta dini se ne jemi burra, që nuk druhemi nga asgjë dhe do t’i vëmë në jetë ligjet e Allahut, qoftë lëvduar!”.

Pamjet shuhen në një ekran të zi, kur thika shkon në fytin e një ushtari të paidentifikuar kurd. Videoja u publikua dy ditë pasi forcat kurde zbrapsën xhihadistët e ISIS-it nga Kobane, qyteti strategjik sirian në kufi me Turqinë, për kontrollin e të cilit është luftuar prej muajsh.

Në një tjetër mesazh online, Shteti Islamik paralajmëroi se pengut japonez dhe pilotit nga Jordania u mbeten vetëm 24 orë jetë. Në këmbim të faljes së tyre kërkohet lirimi i Sajida al-Rishawi, një motër e kalifatit, siç e quan ISIS-i.

Al-Rishawi ka 9 vjet e burgosur në Jordani për rolin e saj në sulmet vdekjeprurëse mbi hotelet e Amanit, që vranë 57 vetë. Në 2006-n, gruaja u dënua me vdekje, por shpëtoi nga ekzekutimi për shkak se po atë vit, Jordania vendosi një moratorium mbi dënimin kapital.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel