Luis Figo sfidon Blatterin: T’i ndryshojmë imazhin FIFA-s

28/01/2015 00:00

Luis Figo ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për t’u bërë presidenti i ardhshëm i FIFA-s, me vendosmërinë për të ndryshuar një organizatë, që ai e përshkruan si shpesh të lidhur me “skandale”.

Ish-ylli i Realit të Madridit dhe Barcelonës e bëri të ditur synimin e tij për të garuar kundër Sepp Blatterit në një intervistë për CNN, gjatë së mërkurës.

42-vjeçari është i njohur në mbarë botën për karrierën 20-vjeçare si futbollist, ndërkohë që mund të konsiderohet edhe si kërcënimi më serioz ndaj “pushtimit” që Blatter i ka bërë trupës më të lartë qeverisëse të futbollit.

Figo është shpallur dy herë “Lojtari më i Mirë i Vitit”, teksa ka luajtur me Portugalinë në 127 ndeshje zyrtare, përfshi Botërorin 2002 dhe 2006, ashtu sikurse dhe në tre kampionate europiane.

“Jam kujdesur shumë për futbollin, ndaj ajo që synoj unë është t’i ndryshoj imazhin FIFA-s, jo vetëm atë aktualin, por edhe atë që ka pasur përgjatë viteve të kaluara. Nuk më pëlqen aspak imazhi i saj”, tha ai për korrespondentin e CNN në Madrid.

“Nëse kërkoni në internet me termin FIFA, fjala e parë që do ta shoqërojë atë është ‘skandali’. Asnjë fjalë pozitive. Është pikërisht kjo që ne, të gjithë së bashku, duhet të ndryshojmë fillimisht dhe të përpiqemi të përmirësojmë imazhin e FIFA-s. Futbolli meriton më shumë sesa kaq”.

“Kam folur me shumë njerëz të rëndësishëm në futboll; lojtarë, trajnerë, presidentë federatash; dhe të gjithë ata mendojnë se diçka duhet bërë. Por për të ndryshuar imazhin e FIFA-s duhet ndryshuar lidershipi, qeverisja e tij, duhet më shumë transparencë dhe solidaritet. Ndaj mendoj se ka ardhur momenti për këtë gjë”.

Figo u bashkohet në këtë garë ish-yllit të Paris SG, David Ginola, kandidatit të pavarur Jerome Champagne, zëvendëspresidentit të Konfederatës Aziatike të Futbollit, Princit Ali, dhe kreut të Federatës Holandeze, Michael van Praag; të gjithë me synimin për të zbritur nga froni Sepp Blatterin.

Top Channel