HEC-et private kundër Qeverisë

28/01/2015 00:00

Një vendim i Entit Rregullator që ndryshon çmimet me të cilat HEC-et
private i kanë shitur energji KESH-it dy vitet e shkuara ka krijuar
sërish tension në tregun energjetik, mes investitorëve dhe autoriteteve
publike.

Vendimi i marrë një muaj më parë ndryshon çmimin e shitjes së energjisë nga HEC-et private, si për vitin 2013 ashtu dhe për atë 2014. Në të dy këto vite prodhuesit privatë ia kanë faturuar energjinë KESH me 9.37 lekë për kilovat orë. Por sipas vendimit të fundit të eres çmimet janë rillogaritur duke u ndryshuar përkatësisht në 9.73 lekë për kilovat orë në 2013-ën dhe 7.95 lekë për kilovat vitin e kaluar.

Prodhuesit thonë se përmes vendimit ERE godet fort financat e tyre, pasi tani u duhet të kthejnë mbrapsht në KESH një pjesë të parave, që kanë arkëtuar nga shitja e energjisë gjatë këtyre dy viteve.
 
Në fakt, çmimi me të cilin KESH e blen energjinë e HEC-eve private përcaktohet sipas një formule që bazohet tek çmimi i importit të vitit paraardhës plus 10 për qind bonus. Por në dy vitet e kaluara kjo formulë nuk është zbatuar, pasi ERE ka lënë në fuqi çmimet e vendosura që në vitin 2010 duke paralajmëruar se do t’i rifreskojë ato në një kohë të mëvonshme.

Enti thotë se me vendimin e muajit të kaluar, vetëm sa ka azhornuar tarifat sipas formulës që urdhëron ligji. Por prodhuesit privatë kanë pretendimet e tyre dhe e kanë çuar vendimin në Gjykatë. Kjo nuk është hera e parë që Qeveria përplaset me pronarët e hidrocentraleve private. Pak kohë më parë Qeveria shpalli një ligj, i cili ndryshon formulën e çmimit me të cilin HEC-et i shesin energjinë KESH edhe për vitet e ardshme duke e ulur atë me gati 30 për qind.   

Top Channel