Kooperativat bujqësore, Panariti: Mundësia e vetme për projekte të medha. Fermerët, skeptikë

28/01/2015 00:00

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti nxiti edhe njëherë fermerët të
bashkohen në ‘Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor’, me qëllim rritjen e
konkurrueshmërisë në sektorin bujqësor.

‘Me fondet e skemave tona dhe donacionet e huaja synojmë të mbështesim shembuj të tillë që kanë nisur por që duam t’i bëjmë masive”, u shpreh Panariti.
 
Por me sa duket përvoja e së shkuarës me modelin e kooperativave bujqësore  vazhdon të ngjallë skepticizëm tek fermerët, të cilët e kanë të vështirë të bashkohen me njëri-tjetrin.  

‘Kemi probleme me objektet, ngritjen e pikave të magazinimit. Ne duam të kemi lehtësira fiskale, ndërkohë që edhe problemet në doganë na sjellin shumë pengesa”, thotë Sotiraq Zarka, nga Shoqëria e Bashkëpunimit Bujqësor në Topojë.

Një tjetër kërkesë e ‘Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor’ është mundësia e marrjes së kredive me 0% interes, për likujdimin e fermerëve, në momentin e grumbullimit të prodhimit bujqësor. Gjithsej në vend janë 38 shoqëri bashkëpunimi dhe disa prej shembujve më të suksesshëm janë komuna Xarë, e cila eksporton lloje të ndryshme agrumesh apo rasti i bashkimeve të fermerëve në Shkodër për prodhimin e bimëve medicinale.

Top Channel