I jepet lamtumira Gentian Demaliajt

28/01/2015 00:00

Edhe pse Gentjan Demaliaj këndoi vargjet “Mos qaj për vdekjen o njeri”, e vështirë ishte për familjarët, të afërmit dhe miqtë e tij që ta dëgjonin këtë këshillë, kur ai u përcoll për në banesën e fundit.

Homazhet e zhvilluara në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar, veç familjarëve mblodhën shumë njerëz, kolegë, dashamirës të muzikës që këndoi Genti, por edhe politikanë. Në heshtje dhe me nderim ata parakaluan e u përulën përpara arkmortit ku Demaliaj do të prehet në përjetësi.

Gentjan Demaliaj u nda nga jeta më 27 janar, pas një sëmundje të rëndë, e cila prej vitesh kishte kushtëzuar jetën e tij, por nuk kishte dhe nuk do arrijë dot kurrë të ndalojë vokalin, i cili do të mbetet në panteonin e muzikës shqiptare si një ndër zërat më të veçantë të saj.
Gentjan Demaliaj i këndoi Jakup Ferrit, i këndoi dashurisë, i këndoi jetës por i këndoi edhe vdekjes.

Arkëmorti i mbuluar me lule dhe mbi supet e miqve të tij doli nga holli i Radio Televizionit Shqiptar për t’u drejtuar në banesën e fundit, i shoqëruar me një duartrokitje të gjatë, duartotrokitje të cilat do vijojnë të dëgjohen për Gentin sa herë në radio, televizione apo klube do të luhen këngët e tij, sepse muzika e vërtetë dhe ata që e bëjnë atë nuk vdesin kurrë.

Top Channel