Si operojnë agjentët e fshehtë rusë në vendet e huaja

28/01/2015 00:00

FBI-ja njoftoi të hënën se kishte identifikuar në Nju Jork tre persona të cilët dyshoheshin për spiunazh në favor të Rusisë.

Agjenti i FBI-së, Gregory Monaghan ka akuzuar tre personat në fjalë, Evgeny Buryakov, Igor Sporyshev dhe Victor Podobnyy për komplotimin e dëmeve kundër interesave të Shteteve të Bashkuara, si anëtarë të shërbimit të jashtëm rus të inteligjencës, SVR. Njëri prej tyre, Buryakov, ndodhet tashmë në qeli.

Përmes një dokumenti, të publikuar nga mediat amerikane, agjenti Monaghan ka sqaruar se tre rusët ishin përfshirë në një zinxhir mbledhjesh informacionesh, kryesisht ekonomike, në favor të Rusisë.

Në të njëjtin dokument oficeri federal ka sqaruar edhe se si agjencia ruse e spiunazhit, SVR angazhon agjentët e saj në operacione. Sipas dokumentit, SVR operon jashtë shtetit përmes agjentëve të klasifikuar në tre rangje.

Rangu i parë janë agjentët që dërgohen për detyra në fshehtësi të thellë, që do të thotë se veprojnë duke marrë identitete të falsifikaura, punë që duken normale dhe që përpiqen të zhdukin çdo gjurmë të lidhjes me Rusinë.

Rangu i dytë janë agjentët që kur dërgohen jashtë nuk përpiqen të fshehin lidhjet e tyre me Rusinë. Përkundrazi, këta agjentë shpesh herë hiqen si zyrtarë të Federatës Ruse, diplomatë apo përfaqësues biznesesh.

Agjentët e këtij rangu gëzojnë avantazhin se pajisen me imunitet diplomatik kundër çdo përndjekjeje ligjore. Kategoria e tretë është ajo e agjentëve që veprojnë për misione jozyrtare, të njohur ndryshe si NOC (non-official cover).

Këta të fundit hiqen si biznesmenë privatë dhe zakonisht nuk janë objekt kontrolli të imtësishëm nga qeveritë e vendeve pritëse dhe në shumë raste nuk identifikohen dot nga këta të fundit.

Të tre këto kategori agjentësh operojnë nën kontroll të plotë të SVR-së. Pavarësisht historive të ndryshme që mbulojnë identitetin e tyre, çdo agjent ka të njëjtin mision:

Mbledhjen e informacioneve mbi vendet e huaja për Rusinë, sikurse rekrutimin e burimeve të informacioneve të rëndësishme që ndikojnë në politikat e institucioneve publike dhe private të vendeve të huaja.

Top Channel