Për shkak të një borxhi të pashlyer në vlerë prej rreth 24.600 dollarësh amerikanë ndaj Kombeve të Bashkuara, Maqedonia ka mbetur pa të drejtë vote në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Kjo e drejtë i është marrë Maqedonisë këtë muaj, pasi nuk ka paguar kontributin e anëtarësimit në këtë organizatë botërore.

Ministria e Jashtme në Shkup ende nuk ka dalë me një qëndrim për këtë çështje. Përgjigje për humbjen e së drejtës së votës akoma nuk ka as nga misioni i Maqedonisë në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Analistët në Shkup thonë se autoritetet vendase duhet të kenë më tepër kujdes për imazhin e vendit në këtë organizatë botërore. Heqjen e së drejtës për të votuar, ata e komentojnë si një porosi jo të mirë për Maqedoninë.

Në letrën që sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon i ka drejtuar më 12 janar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme thuhet se, 13 vende anëtare të organizatës nuk kanë paguar anëtarësimin dhe për këtë shkak nuk do të mund të votojnë.

Përveç Maqedonisë, në listën e vendeve që nuk kanë shlyer këtë detyrim janë edhe Ruanda, Grenada, Kirgizstani, Jemeni dhe disa shtete të tjera.

Top Channel