“Është më interesante të bësh një produkt të plotë, 10-11 këngë, dhe të lësh relike që mbesin edhe pas vdekjes.” Dhe ndodhi që ai të largohej nga kjo jetë, fatkeqësisht shumë herët. Dhe
ndodhi që këngët e tij do të mbeten e do të këndohen për shumë gjatë,
veçanërisht nga brezi që u ushqye me këtë muzikë, e cila solli një epokë
të re…

Genti Demaliaj nuk është më mes nesh. Këngëtari i grupit “Djemtë e Detit” është larguar në moshën 40-vjeçare nga jeta, duke lënë pas kujtime të bukura, këngë që pavarësisht se kur u krijuan, dëgjohen edhe sot me endje dhe mbi të gjitha duke lënë pas shumë dhimbje për këtë vdekje të parakohshme.

Rrokeri Gent Demaliaj dhe grupi Djemtë e Detit ishin ndër të parët që guxuan të thyejnë tabutë dhe rregullat kufizuese të para viteve ‘90. Ishin ndër të parët që guxuan të mbajnë flokë të gjata dhe të vishen si rrokera. Së bashku me grupet e kohës, Djemtë e Detit sollën një erë të re në art dhe në mendësinë e rinisë së kohës.

“Ishin disa grupe që thyen barrierat në festival. Më pas, erdhi albumi ynë i parë me titull Izolimi vdes”, tregonte Demaliaj në studion e ‘Pasdite në Top Channel’ katër vite më parë.

Grupi Djemtë e Detit u krijua në qytetin e Lezhës në vitin 1989 nga disa të rinj që muzikën “rock” e kishin në gjak, të frymëzuar nga grupe të huaja shumë të njohura. Genti, Flamur Toska, Valentin Markvukaj, Shkëlqim Meta, Dhori Bllahova dhe Bujar Daci vunë themelin e një legjende që ndezi zemrat e mijëra të rinjve. Muzika e tyre kishte ndikime “hard-rock”-u dhe metali, aktuale në mesin e viteve ‘80 në të gjithë botën. Për më shumë se 10 vjet, hiti i grupit ka qenë kënga e famshme “Mos Qaj”, një baladë e cila pa dyshim mund të hyjë në antologjinë e rrokut shqiptar.

Cfarë e bëri identifikues grupin ishte përzierja e elementëve të folkut me rrokun. Arritjet e këtij grupi kanë qenë padyshim guri i themelit në historinë e rrokut shqiptar. Djemtë e Detit kanë pasur disa prezantime dinjitoze në festivalet e fillimit të viteve ‘90. Në vitin 1991 në Festivalin e R.T.SH.-së ata u vlerësuan me çmimin e dytë për këngën “Ëndrrat që për ty i thura”.

Katër vite më pas do të vinte dhe vendi i dytë në Festivalin e parë të rrokut. E paharrueshme do të mbetet “Balada për Jakup Ferrin”, e vlerësuar me çmim special në Festivalin Kombëtar në vitin 1996.

Viti 2000 ishte i artë për grupin, ata marrin çmimin e parë me këngën “Jo tani”.
Edhe pse Gent Demaliaj ishte emblema e “Djemve të Detit” dhe sot kujtohet e do të mbahet mend për këtë, ai eksploroi më tej në art. Në vitin 2002 Genti përfundoi studimet për dramë, një fushë që e shihte të lidhur ngushtësisht me këngën dhe muzikën që ai bënte. Ai ka pasur disa role në teatër, një rol në filmin e Mevlan Shanajt “Lule të kuqe lule të bardha” dhe gjithashtu ka qenë pjesë e trupës së realizimit të disa muzikalëve.

Përtej pamjes së rrokerit rebel, Genti ishte një familjar i përkushtuar. Ai u bë baba në një moshë shumë të hershme dhe kurrë nuk e pa familjen si një pengesë për të vazhduar dhe eksploruar në rrugën e artit. “Mendoj se familja është e shenjtë, ai tempulli ku falemi në fund të gjithë”, thonte Genti.

Dhe sukseset e tij qenë të shumta, por vetëm një dhuratë e jetës mbeti më e çmuara për të: “Unë e kam një thesar dhe ajo është Edea, vajza ime.”  

Sot, Edea 16 vjeç humbi babain, mësuesin më të mirë që i diktoi hapat e para në muzikë dhe shokun e saj. Por, ajo dhe të gjithë ne do të kemi shumë çfarë të mbartim ende në jetë prej legjendës së rrokut shqiptar. Notat, vargjet që ai përcolli do të vazhdojnë të ushqejnë shpirtin me muzikë që bëri histori dhe një zë, legjenda e të cilit do të jetojë gjithmonë…

Lamtumirë Gent!

Top Channel