Gjithmonë janë ato që vihen në shënjestër. Nga më të rriturit që kritikojnë se lyhen pa moshë e pa kriter. Nga bashkëmoshtarët: janë në modë apo janë demode. Por, pse grimohen apo pse qëndrojnë natyrale adoleshentet? Arsyet na i shpjegojnë vetë ato.

“Unë preferoj pa tualet sepse pudra ngjit kur takon shokët dhe shoqet”, “më pëlqen të bëj tualet pasi ndihem më mirë, më duket vetja më e mirë” dhe “bëj tualet pasi jam e kujdesshme për veten time” janë disa nga shpjegimet që japin adoleshentet.

Në zgjedhjen e tyre, familja ka dhe nuk ka gjë në dorë.

Një vajzë që nuk lyhet thotë: “Mami dhe babi nuk më thonë gjë edhe nëse lyhem, por mua nuk më pëlqen vetë.”

Ndërsa një nga vajzat që bën tualet rregullisht thekson se “është mosha kur do provohen të gjitha dhe prindërit nuk kanë çfarë të thonë”.

Pjesa më e madhe e vajzave që grimohen e kanë filluar që nga klasa e tetë apo e nëntë. Sigurisht, ndryshimi është i dukshëm dhe shpeshherë i bën që të mos heqin dorë qoftë edhe për një ditë: “Në ditët që nuk lyhemi shoqëria habitet. Na pyesin se mos na ka ndodhur ndonjë gjë.”

Ato tregojnë se mënyra se si ndjehesh sigurisht që ka të bëjë shumë dhe nga ata që të rrethojnë: “Normal që është presioni. Kur të gjitha lyhen, edhe ti duhet të përshtatesh.”

Të gjithë jemi gati për t’i gjykuar, por e rëndësishme është të kuptojmë: “Është vetë mosha, je shumë e ndikuar nga rrethi shoqëror.”  

Sipas studimeve, femrat shpenzojnë 2 javë në vit para pasqyrës për të rregulluar flokët dhe “make-up”-in.  

Top Channel