Jordania mund të lirojë kamikazen, ISIS pengun japonez

28/01/2015 00:00

Në një video të fundit të postuar në internet, ekstremistët e ISIS-it deklarojnë se mund të lirojnë pengun japonez, Kenji Goto pas lirimit prej Jordanisë të Sajida al-Rishawi, kamikazes irakiane që u arrestua në vitin 2005, pas një përpjekjeje të dështuar për të hedhur veten në erë.

Në një llogari në rrjetin social “Twitter” të lidhur me ISIS njoftohet se Sajida ndodhet në ‘tokën e Shtetit Islamik’ si pjesë e një marrëveshjeje me Jordaninë, që gjithnjë sipas asaj të shkruajtur në këtë profil, parashikonte lirimin e pengut japonez dhe mosekzekutimin e pilotit jordanez, Moaz al-Kasasbeh, i kapur prej xhihadistëve në ditët e vitit të ri pranë qytetit të Raqqa-s.

Për momentin informacionet nga kjo marrëveshje nuk janë zyrtare dhe nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur, por ISIS njoftoi se pengu japonez është rrugës për në Jordani, ndërkohë që për fatin e pilotit jordanez nuk jepet asnjë detaj.

Më herët gjatë së mërkurës qeveria jordaneze pranoi propozimin e ISIS-it për shkëmbimin e ekstremistes irakiane duke njoftuar se gjithçka bëhej për të garantuar jetën e pilotit al-Kasasbeh.

Top Channel