Mund të duket e pabesueshme, por dikur të bëjë makiazh kërkonte sakrificë. Emra të mëdhenj të skenës shqiptare tregojnë për ‘Pasditen’ eksperiencat e tyre të rinisë.

Margarita Xhepa ruante vetëm për raste buzëkuqin që i kishte sjellë kunata nga Bullgaria, Irma Libohova përdorte dhe pastela të holluar me ujë për të zgjedhur një ton që nuk e gjente dot, ndërsa Liljana Cingu grimonte sekretaret e partisë për të shmangur fletë-rrufetë.

Këngëtarja Irma Libohova tregon: “Të flasësh përpara 40 vitesh, të vije laps apo të lyeje flokët, ishte tabu. Kishe një lloj përgjegjësie ndaj vetes.”

Dhe në fakt, përgjegjësia nuk krijohej vetëm nga vetja apo mentaliteti, por edhe nga rregullat e sistemit në fuqi.

Lili Cingu kujton: “Gjithmonë merrja fletë-rrufe për këtë punë. E kisha pasion rregullimin e flokëve dhe tualetin. Lyhesha dhe fshihesha para derës së punës pasi të nesërmen merrja fletë-rrufe.”

Lili Cingu, një nga femrat më të mbajtura të atyre viteve, por edhe sot, tregon se si arrinte t’u shpëtonte ndëshkimeve për shkak të dëshirës për t’u kuruar: “Kur unë rregulloja flokët, sekretaret e rinisë më thonin: Sa bukur i ke bërë, por do marrësh fletë-rrufe. Unë ia bëja edhe asaj atë model flokësh dhe shpëtoja.”

Zonjat e skenës ishin të privilegjuara sepse atje në skenë ato mund të trukoheshin pa u shigjetuar nga askush. Por, në jetën e zakonshme, ato ishin të zakonshme si gjithë gratë e tjera të cilat sipas rregullit të pashkruar mund të grimoheshin vetëm pasi bëheshin nuse.

Atëherë i ka lyer buzët për herë të parë edhe Margarita Xhepa, një nga bukuritë më të rralla të skenës shqiptare. Madje për buzëkuqin dhuratë të kunatës, tregon se e përdorte me kujdes që të mos e harxhonte se atëherë s’kishe ku t’i gjeje mjetet për grim.  

Edhe Irma Libohova vetëm pasi është martuar është grimuar rregullisht: “Nuk lyhesha sepse më përpara thonin se kur të martohesha do të lyhesha sa të doja.”  

Ishte viti 1982 atëherë kur ajo, tashmë me statusin e të martuarës, mund të grimohej apo të ndryshonte ngjyrën e flokëve: “Pas vitit 1982 nisa t’i bëja flokët permanent. Pasi u bëra nuse lyhesha çdo ditë.”

Ndërsa Margarita Xhepa flokët i ka lyer vetëm pas të 50-ave. Përveç dy rasteve në film, tek Dora e Ngrohtë dhe Dimri i Fundit që duhej të dukej më e madhe në moshë. Ndërsa Lili Cingu vetëm pas të 40-ave.  

Bojërat dhe kalemat, siç quheshin atëherë, ishin shumë të vështirë për t’u gjetur. Artistët kishin fatin që udhëtonin jashtë shtetit herë pas here dhe siguronin diçka. Por atyre edhe shteti u siguronte një paketë grimi. Lili tregon: “Ishin “make up” rusë që ngjanin si llaç.”

Por edhe kur nuk kishin, gjenin mënyra për t’u bërë të bukura.

“Kur më pëlqente një tonalitet, përdorja pastelat dhe i shkrija me ujë. Bënim lloj-lloj marifetesh”, thotë Irma.

Liljana, aq bukur grimohej, saqë mikeshat i kërkonin t’i rregullonte për ditën e dasmës: “Shoqet më kërkonin t’i rregulloja dhe kur kisha mundësi gjithmonë i ndihmoja. Nëse nuk do isha balerinë, me këtë punë do isha marrë.”

Ajo edhe sot kujdeset po njëlloj. Madje më shumë, për shkak të moshës. Nuk është e mundur ta gjesh Lili Cingun qoftë një herë të vetme të pakuruar: “Që kur zgjohem në mëngjes, bëj tualet e më pas nis të bëj punët.”

Kur je person publik ekziston dhe një farë presioni për të mos dalë pa “make up”. “Vetëm në lagje mund të dal pa tualet”, tregon Irma.
 
Është e vërtetë, zonjat e skenës kanë qenë dhe janë modelet e kohës. Kane bërë sakrifica për t’u dukur bukur, por pa sakrifikuar natyralitetin siç ndodh shpesh pa shkak tek vajzat e kohës së sotme.

Top Channel