Peticion për hapjen e dosjeve; personalitetet botërore, apel politikës shqiptare

28/01/2015 00:00

Pas nismës së shkrimtares dhe gazetares Lindita Arapi, mbi 90 shkrimtarë dhe personalitete të botës ndërkombëtare kanë firmosur një peticion i cili mbështet hapjen e dosjeve në Shqipëri.

Ky peticion, i cili është një apel për hapjen e dosjeve, është bërë publik në ambjentet e institutit të ish-të përndjekurve politikë.

“Jemi vetëm 4-5 intelektualë shqiptarë që jemi pjesë e apelit të nënshkruar nga intelektualë të ndryshëm evropianë, por ne tentojmë që sot të sensibilizojmë publikun dhe të ftojmë ata që kanë ndjeshmëri t’i bashkohen peticionit”, deklaroi publicisti Mark Marku.

Por a ndikon hapja e dosjeve dhe bërja transparencë e funksionarëve të lartë të shtetit në dhunimin e së drejtës personale? Arapi solli shembullin e Gjermanisë.

“Nëse unë dua të ruaj të drejtat e mia, atëherë dua të di se çfarë ka të regjistruar shteti për mua. Kjo qe baza juridike e ligjit të dosjeve në Gjermani. Nuk kaloi kollaj, por sot në Gjermani çdo individ mund të shohë dosjen e tij dhe kjo nuk shkakton më frikë dhe tmerre që ngjallnin debatet mediatike”, deklaroi Arapi.

“Nëse ata që do emërojnë zyrtarë apo që do kenë mundësi të fusin në lista kandidatë do jenë të vetëdijshëm që kemi një ligj që bën transparencë mbi të shkuarën, nuk besoj se do jenë aq guximtarë e kurajozë që të marrin vendime për të vënë në jetën tonë publike njerëz me të shkuar të errët nga regjimi i kaluar”, tha nga ana tjetër Bilal Kola, drejtor i Institutit të ish-të përndjekurve.

Projektligji për hapjen e dosjeve parashikon që çdo i përndjekur politik të njihet me dosjen e tij, si dhe të mësojë se kush është bashkëpunëtori i sigurimit të shtetit, i cili ka hartuar dosjen.

Në nenin 28 të këtij projektligji kërkohet që për funksionarë të lartë të hallkave të shtetit shqiptar të bëhet transparencë, pra të shihet nëse ata kanë ose jo dosje.

Top Channel