Barrierat e hekurit të vendosura para protestave të 2010-s, në fillimet e krizës, sapo janë hequr nga sheshi para Parlamentit të Athinës, duke simbolizuar se asgjë nuk e ndan më qeverinë e re nga qytetarët grekë.

Në të njëjtën kohë, kryeministri Tsipras dhe kabineti i tij kanë dhënë mesazhin se kërkojnë ura lidhëse edhe me BE në këtë situatë aspak të favorshme.

Pasi kancelarja Merkel ka ripërsëritur se nuk ka reduktim të borxhit për Greqinë dhe as këst të ardhshëm të ndihmës, por vetëm vazhdim reformash, edhe ministri gjerman i Ekonomisë ka dhënë parlajmërimet e tij.

“Para së gjithash, unë nuk mund të imagjinoj një reduktim të borxhit. Mund të imagjinoj se programet do të vazhdojnë në mënyrë që edhe ndihma të mos ndërpritet”, ka deklaruar Sigmar Gabriel.

Duke ruajtur qëndrimin e Radikalëve të Majtë se, as nuk prishemi me partnerët europianë dhe as nuk nënshtrohemi, ministri i ri i Financave, për të cilin mediat gjermanë thonë se është njeriu që kërkon të prishë themelet e oligarkisë në Greqi, ka deklaruar se negociatat nuk do të jenë të lehta, por tashmë do të krijohet një marrëdhënie e re e besimit dhe ndershmërisë mes Athinës dhe Europës.

“Do të ketë takime të reja që synojnë një marrëveshje të re, një urë, mes programeve të mëparshme dhe marrëveshjes përfundimtare midis Greqisë, BE-së, BQE-së dhe FMN-së. Në këto takime do të këshillohemi në një afat të shkurtër kohor me partnerët tanë europianë, me huadhënësit, me BQE-në”, ka deklaruar Janis Varufakis.

Athina zyrtare ndërkohë ka vazhduar kritikat ndaj BE-së për shkak se kryeministri i ri nuk është pyetur para deklaratës së përbashkët të udhëheqësve të BE në lidhje me Ukrainën dhe kjo ka shkaktuar edhe reagimin e kreut të diplomacisë greke disa orë para samitit të ministrave të Jashtëm të BE për sanksionet ndaj Rusisë.

“Gjithkush duhet të dijë se në jemi një realitet, një anëtar normal i BE. Ne nuk jemi një pjesë e dytë, një vend i kategorisë së dytë”, ka deklaruar Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Ndërkohë, kryeministri Tsipras dhe grupi i tij i besuar i specialistëve të Financave përgatiten për vizitën e kreut të PE që vjen në Athinë për të parë se cilat janë kërkesat konkrete të qeverisë helene ndaj huadhënësve të saj, të cilat të premten ajo do t’ia parashtrojë ato edhe kreut të Eurozonës.

Top Channel