Futbolli, biznesi që nuk njeh krizë, 4.1 miliardë dollarë në vitin 2014

28/01/2015 00:00

4.1 miliardë dollarë është shifra e qarkulluar gjatë vitit të kaluar në botën e futbollit. Raporti i bërë nga “Global Transfer Market” i publikuar të mërkurën nga FIFA thekson se sporti më i populluar në botë nuk njeh rënie nga kriza duke prodhuar një shifër rekord përsa i përket transferimeve të futbollistëve.

Në këtë raport përfshihen informacione ekskluzive përsa i përket shpenzimeve në merkato, karakteristikat e futbollistat e madje deri të përfshirja e menaxherëve në bisedime me klubet.

Sipas këtij raporti, Brazili është eksportuesi më i madh i futbollistëve në glob. Janë 689 lojtarë brazilianë të cilët vitin e kaluar kanë prefuar të luajnë jashtë kampionateve vendase. Anglia zë vendin e parë përsa i përket parave të hedhura në merkaton e lojtarëve. 1.17 milard dollarë kanë shpenzuar klubet angleze për të transferuar futbollistë në kampionatet e tyre, 500 milion dollarë më shumë se klubet spanjolle.

Ndryshe nga kampionatet e tjera, kriza ekonomike në Itali duket se ka ndikuar edhe në futboll. 306 milion dollarë kanë shpenzuar në merkato klubet italiane, 200 milion më pak se vitin e kaluar, shifra këto që tregojnë ndoshta dhe një rënie të cilësisë së klubeve të mëdha italiane në arenën europiane.

Për herë të parë, në këtë raport janë përfshirë dhe transferimet e lojtarëve nën moshën 18 vjeç dhe Spanja është vendi që ka blerë më shumë minorenë.

Nuk kanë mbetur jashtë këtij raporti edhe menaxherët e futbollistëve, përfitimet e të cilëve vitin e kaluar kapin shifrën e 236 milion dollarëve.

Top Channel