Një frymë e re duket se ka pushtuar botën e modës. Nëse më herët për të qenë modele duhet të ishe brenda disa parametrave fizike të përcaktuar, tani edhe një vajzë me disa kilogramë të tepërta shumë mirë mund të përzgjidhet si imazh i një firme veshjeje, ikonë e një kalendari apo thjesht të jetë në qendër të objektivit të aparatit të ndonjë fotografi profesionist në botën e modës.

Nën moton “Disa njerëz thjesht nuk janë të destinuar për të qenë  masa zero”, disa modele mbipeshë kanë formuar një agjenci për të promovuar bukurinë për të gjitha llojet e trupave.

Ishin pikërisht këto vajza, të cilat një vit më parë “Ford Models” i skualifikoi nga audicionet e tyre, vetëm për shkak të linjave të tyre trupore të mbushura. E ndërsa sot, pas thyerjes së barrierave të masës në botën e modës, vajzat arritën të nënshkruanin kontrata me firma të tjera veshjesh.

Shpesh ka ndodhur që bota e larmishme e modës edhe e pasarelave të diktojë jetën e shumë vajzave, duke i kthyer ato në anoreksike ose bulemike.

E çdo sakrificë vetëm për t’ju përshtatur konceptit të bukurisë që industria e modës kishte kultivuar ndër vite. Ndërsa fryma e re e modelingut është cilësuar si revolucion, pasi përfaqëson një numër të madh vajzash nëpër botë.

Top Channel