Ambasadori Donald Lu viziton Elbasanin, njihet me zonat historike

29/01/2015 00:00

Ambasadori amerikan Donald Lu ka vizituar qytetin e Elbasanit, në daljen e tij të parë nga Tirana. Ai u prit nga kryetari i Bashkisë në një takim ku është diskutuar për qytetin e Elbasanit dhe zhvillimin e tij në të ardhmen.

Ambasadori Lu tha se zgjodhi Elbasanin në vizitën e tij të parë nisur nga historiku i këtij qyteti: “Jam shumë i kënaqur që udhëtimin tim të parë jashtë kryeqytetit e bëj në Elbasan. Historia e pasur e Elbasanit dhe bukuria e tij janë të mirënjohura.”

Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, theksoi: “E falenderoj ambasadorin që zgjodhi Elbasanin. Biseduam për problemet e qytetit, planet e mëtejshme, zgjedhjet dhe shumë probleme të tjera të përditshme. E kam thënë që Elbasani do të ndryshojë në këto 4 vite.”
 
Më pas, ambasadori amerikan dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit kanë zhvilluar një vizitë në qytet për t’u njohur nga afër me historikun e tij.

Ata u ndalën fillimisht në Monumentin e Arsimit e më pas kanë vijuar pranë rrënojave të bazilikatës në zonën e Bezistanit në qytetin e Elbasanit.

Ambasadori Donald Lu është njohur me historinë e patriotit Aqif Pasha si dhe ka vizituar ambientet e brendshme të kalasë otomane dhe lagjen brenda saj.

Top Channel