PD: Vila pa leje në parkun e Liqenit, INUK nuk i prish

29/01/2015 00:00

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se gjatë muajve të fundit ka lejuar ndërtimin e dy vilave pranë Rezidencës së Presidentit, në parkun e Liqenit, në shkelje të të paktën 4 ligjeve dhe planit urbanistik të Tiranës.

Kreu i Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi, thotë se Inspektoriati Kombëtar nuk po ndërhyn për të prishur këto ndërtime, edhe pse ka një vendim për prishjen e tyre nga Inspektoriati i Bashkisë së Tiranës.

“Pse nuk prishen? Pse INUK bëhet SNUK?”, ngriti pyetjen Malltezi.

Sipas Jamarbër Malltezit përgjigja gjendet te kryeministri Rama, i cili – sipas opozitës – u ka dhënë mbrojtje dy vilave të paligjshme te parku i Liqenit, ku ndalohet çdo ndërtim dhe legalizim.

“Arsyen e kësaj paligjshmërie brenda parku të madh të Liqenit duhet ta kërkojmë në Surrel. Lidhja e pronarit të këtyre objekteve me Edi Ramën është e njohur dhe ka themele e mure të forta. Shkelësi i ligjit te parku i madh i Liqenit është ndërtuesi i sarajeve të Surrelit”, u shpreh më tej Malltezi.

Partia Demokratike thotë se Inspektoriati Kombëtar po përdoret nga kryeministri me standarde të dyfishta.

“Jemi vetëm 2 kilometra larg zyrave të qeverisë, por ligji këtu nuk vepron, ligji nuk është i barabartë. Ndërkohë që ndërtues-financuesi i Edi Ramës është i paprekshëm, janë me mijëra qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, që janë bërë pre dhe gjenden sot mbi gërmadhat e pasurisë së tyre të ligjshme, të bërë hi nga INUK-u, që sillet si bandë e paligjshme”, vijoi më tej Malltezi.

Partia Demokratike i bëri thirrje Inspektoriatit Kombëtar të zbatojë ligjin dhe të prishë menjëherë dy ndërtimet e paligjshme në parkun e Liqenit.

“Zona është shpallur informale nga Berisha”
Artan Lame i përgjigjet akuzave të PD-së për ndërtimet te Liqeni

Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame, ndaj akuzave të PD-së për ndërtimet e “konsideruara të jashtëligjshme” në parkun e Liqenit.

“Në kuadër të shpalljes së vendbanimeve informale që hyjnë për legalizim, i njëjti institucion, pra KRRTSH-ja e drejtuar nga Sali Berisha, ka marrë vendimin numër 1/1, datë 26.10.2007, në të cilin zona e parkut, për të cilin sot Saliu na bërtet neve, vetë Saliu e ka shpallur vendbanim informal. Një pjesë e këtyre objekteve edhe janë legalizuar, teksa ne disponojmë edhe listën e legalizimeve të bëra nga Saliu deri në 2013-n. Atëherë çfarë dreqin na kërkon sot neve?”, reagoi kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Top Channel